Gani Geci ka reaguar pas një takimi me Jetmir Cakiqin, të cilin e prezanton si vëllain e Fatmir Cakiqit, i njohur në rrjete sociale me emrin Fabio Caldini.
Geci ka bërë të ditur se Jetmir Cakiqi, sipas tij, i ka kërkuar falje në emër të familjes dhe i ka sqaruar se familjarët e tij në Kosovë nuk kanë kontakte me Fatmirin prej disa vitesh.
“Jetmiri, në emër të familjes së tij, Cakiqi, më kërkoi falje. Ai më sqaroi se familja e tij këtu në Kosovë ka një kohë të gjatë që nuk ka kontakt me të, sepse ai qe gjashtë vjet nuk ka qenë në Kosovë”, ka shkruar Geci.
Sa i përket Fatmir Cakiqit, Geci thotë se e ka denoncuar në Polici për, siç pretendon, kërcënim të drejtpërdrejtë.
“Besoj se Policia dhe Prokuroria do ta kryejnë detyrën e tyre, ndërsa unë do ta kryej detyrën time, siç e kam bërë për 38 vjet: duke e mbrojtur nderin tim dhe familjen time dhe Kosovën nga bandat”, është shprehur ai.
Në reagimin e tij, Geci ka bërë edhe pretendime të tjera lidhur me Fatmir Cakiqin, përfshirë pretendimin se ai nuk ka qenë i pranishëm në varrimin e babait dhe të njërit prej vëllezërve të tij.
Në fund, Geci ka ironizuar me deklaratat e tij ndaj Cakiqit, duke thënë se “puna mbetet te ai Fabio, patrioti i Zvicrës”, ndërsa ka përmendur edhe publikimin e fotografisë së takimit nga Jetmir Cakiqi.
