Pacolli publikon fotografi nga viti 1974: Asgjë nuk erdhi brenda natës

Pacolli publikon fotografi nga viti 1974: Asgjë nuk erdhi brenda natës

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka publikuar një fotografi të vjetër nga viti 1974, përmes së cilës ka kujtuar fillimet e rrugëtimit të tij profesional dhe ekonomik.

Pacolli ka thënë se pas arritjeve të tij ndër vite qëndrojnë puna, përpjekjet dhe sakrificat, duke theksuar se rruga drejt suksesit nuk ka qenë e lehtë.

“Shpesh, nga larg, mund të duket sikur gjithçka që kam është fituar lehtë. Por pas çdo gjëje që kam arritur, ka vite të tëra pune, përpjekjesh, sakrificash dhe shumë momente kur asgjë nuk ishte e sigurt”, ka shkruar Pacolli.

Ai ka treguar se fotografia është realizuar në vitin 1974, në Interplastikë, ku ishte së bashku me Ramiz Nukën, Afrim Batallin dhe Ruzhdi Nurën, ndërsa në takime, sipas tij, ishte shpesh edhe Mazllom Bokshi, atëherë drejtor i Bankos-it në Gjakovë.

“Duke shfletuar albumin e vjetër, u ndala te kjo fotografi. Viti 1974”, ka shkruar ai.

Pacolli ka thënë se pas më shumë se pesë dekadash, fotografia i kujton rrugën e gjatë të bërë që nga ato vite.

“Sot, kur e shoh këtë fotografi pas më shumë se pesë dekadash, e kuptoj edhe më shumë se sa shumë rrugë është bërë që nga ato ditë”, ka deklaruar ai.

Ai ka theksuar se pas çdo arritjeje ka pasur punë dhe sfida të reja.

“Asgjë nuk erdhi brenda natës. Pas çdo hapi kishte punë. Pas çdo pune kishte një tjetër sfidë. Dhe pas çdo sfide, përsëri duhej të besoje dhe të vazhdoje”, ka shkruar Pacolli.

Në fund, ai ka thënë se fotografitë shpesh tregojnë vetëm rezultatin, ndërsa jo rrugën që është bërë deri tek ai.

“Ndoshta kjo është ajo që nuk shihet gjithmonë në fotografitë e sotme: ajo që shihet është rezultati; ajo që nuk shihet është rruga deri te ai rezultat. Kjo fotografi është një kujtim i asaj rruge”, ka përfunduar Pacolli.

Related Articles