Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklarimeve të ambasadorit britanik në Kosovë lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë për ish-krerët e UÇK-së.
Çitaku ka kundërshtuar deklarimin se dënimet kanë të bëjnë me krime individuale ndaj komuniteteve të ndryshme, duke thënë se kjo nuk pasqyron, sipas saj, thelbin e vendimit.
Ajo ka pretenduar se UÇK-ja është cilësuar si “ndërmarrje e përbashkët kriminale” dhe se kjo, sipas saj, është pesha kryesore e aktgjykimit.
“Mos na qitni hi syve”, ka shkruar Çitaku, duke shtuar se mund të ketë qëndrime të ndryshme ndaj vendimit, por ajo nuk e pranon që lufta për liri të përshkruhet me “gjuhën e kriminalitetit”.
“Nuk kemi me heshtë derisa lufta jonë për liri të përshkruhet me gjuhën e kriminalitetit. Nuk kemi me e pranu që historia jonë të rishkruhet për komoditetin politik të askujt”, ka shkruar ajo.
Në fund, Çitaku e ka mbyllur reagimin me mesazhin: “Jo. Jo në emrin tim”.
