Kinematografia kosovare ka hyrë në vjeshtën e vitit 2026 me disa premiera të rëndësishme, por “Shame and Money” i Visar Morinës mbërrin para publikut vendor me një peshë të veçantë. Filmi po shfaqet në Cineplexx këtë javë në Prishtinë dhe qytete tjera të Kosovës
Ardian Jasiqi
Jo vetëm sepse vjen nga autori i “Babai” dhe “Exil”, por sepse filmi tashmë ka krijuar një profil të fuqishëm ndërkombëtar: fitoi Grand Jury Prize në World Cinema Dramatic Competition në Sundance 2026, ndërsa më pas mori edhe CineMasters Award për filmin më të mirë ndërkombëtar në Filmfest München.
Megjithatë, çmimet nuk janë arsye e mjaftueshme që një film të funksionojë edhe për publikun. “Shame and Money” duhet parë para së gjithash si film: si tregim për dinjitetin, varfërinë, familjen dhe mënyrën se si paratë ndryshojnë raportet njerëzore.
Dhe pikërisht këtu qëndron forca e tij më e madhe.
Dinjiteti si kapitali i fundit
Në qendër është Shabani, i interpretuar nga Astrit Kabashi, një burrë që nuk është i pasur, por që në fshat ende ka diçka që për të vlen më shumë se paraja: ndjenjën se mund ta mbajë familjen me punën e vet.
Ai dhe bashkëshortja Hatixhe, e interpretuar nga Flonja Kodheli, jetojnë me vajzat dhe familjen e zgjeruar duke u marrë me tokën dhe bagëtinë. Jeta nuk është e lehtë, por ka një ritëm, një logjikë dhe, mbi të gjitha, një raport të drejtpërdrejtë mes punës dhe mbijetesës.
Gjithçka përmbyset kur vëllai i Shabanit, Liridoni (Tristan Halilaj), shet bagëtinë dhe largohet drejt Gjermanisë. Familjes i hiqet jo vetëm burimi ekonomik, por edhe mënyra e jetesës.
Shabani, Hatixhja, tri vajzat dhe nëna e tij detyrohen të zhvendosen në Prishtinë.
Distanca gjeografike mes fshatit dhe kryeqytetit është e vogël. Distanca sociale, megjithatë, duket pothuajse e pakalueshme.
The Hollywood Reporter e ka vërejtur pikërisht këtë kontrast: Shabani dhe Hatixhja kalojnë nga një jetë rurale me ritme të parashikueshme në një realitet urban ku varen nga të afërmit ekonomikisht më të fuqishëm dhe nga një treg pune që vazhdimisht ua cenon vetëvlerësimin.
Në Prishtinë, Shabani punon për baxhanakun Albanin, të interpretuar nga Alban Ukaj. Por paga nuk mjafton. As një punë nuk mjafton. Shabani dhe Hatixhja detyrohen të kërkojnë çdo mundësi shtesë për të siguruar familjen.
Pikërisht këtu lind konflikti kryesor i filmit.
Nuk është thjesht: A ka Shabani para?
Pyetja është: Sa prej vetes është i gatshëm të humbasë për t’i fituar ato?
Filmi e vendos heroin në një konflikt pothuajse hamletian mes nevojës dhe dinjitetit, por pa monologët e mëdhenj dramatikë. Shabani nuk filozofon për pozitën e tij. Ai e bart atë në trup, në heshtje, në shikim dhe në mënyrën gjithnjë e më të mbyllur me të cilën komunikon me njerëzit përreth.

Astrit Kabashi – Interpretimi që e mban filmin mbi supe
Këtu vjen edhe një nga cilësitë kryesore të “Shame and Money”: Astrit Kabashi.
Kabashi nuk e luan Shabanin duke kërkuar skena “Oscar”. Nuk ka shpërthime artificiale emocionale dhe nuk ka përpjekje për ta bërë personazhin simpatik me çdo kusht.
Ai e ndërton atë nga brenda.
Shabani është një njeri që gjithnjë e më shumë zvogëlohet në sytë e vet, ndërsa përpiqet të ruajë imazhin e burrit që siguron familjen.
Screen Daily veçon pikërisht përdorimin e trupit nga Kabashi: Tensionin në shpatulla dhe dëshpërimin në sy si shenja të çmimit që personazhi po paguan vetëm për ta kaluar edhe një ditë tjetër. Kritika e vlerëson gjithashtu harmoninë mes Kabashit dhe Kodhelit, duke e përshkruar marrëdhënien e tyre si të ndërtuar me shumë saktësi dhe ngrohtësi.
The Hollywood Reporter shkon në të njëjtën linjë, duke i përshkruar interpretimet e Kabashit dhe Kodhelit si jashtëzakonisht të përmbajtura dhe duke theksuar mënyrën se si Morina kap frymëmarrjet, shikimet e plagosura, shpresën dhe frikën e personazheve.
Ky është ndoshta komplimenti më i saktë për Kabashin.
Interpretimi i tij funksionon pikërisht sepse nuk duket sikur është duke interpretuar.
Në skenat e para Shabani është fizikisht aktiv: Rregullon, punon, mban, ndërton. Në qytet, ai gradualisht bëhet njeri që pret: Pret punën, pagën, miratimin, mundësinë e radhës.
Ky ndryshim fizik është shumë më interesant sesa një transformim tradicional dramatik.
Kabashi arrin ta bëjë krenarinë e Shabanit njëkohësisht cilësi dhe defekt. Pa të, personazhi do të humbiste identitetin; për shkak të saj, ai shpesh nuk është në gjendje ta pranojë ndihmën që mund ta shpëtonte.
Prandaj Shabani nuk është viktimë e thjeshtë e sistemit. Ai është edhe viktimë e idesë së tij për atë se çfarë duhet të jetë një burrë.
Kjo e bën rolin shumë më kompleks.

Flonja Kodheli është po aq e rëndësishme
Do të ishte gabim, megjithatë, ta reduktonim filmin vetëm te Kabashi.
Flonja Kodheli si Hatixhe ofron kundërpeshën e domosdoshme.
Nëse Shabani e sheh varfërinë edhe si plagë të krenarisë, Hatixhja e sheh në mënyrë më pragmatike: Ka fëmijë për t’u ushqyer dhe jetë për t’u vazhduar.
Një nga idetë më të forta të filmit përmblidhet në frazën e saj se “turpi është luks”.
Hindustan Times, që e vlerësoi filmin me katër yje, e konsideron pikërisht këtë fjali si përmbledhjen e botës së filmit: Njerëzit që kanë para mund t’i lejojnë vetes edhe krenarinë; të varfrit shpesh duhet të zgjedhin mbijetesën.
Kabashi dhe Kodheli nuk konkurrojnë mes tyre. Interpretimet plotësohen.
Ai mbyllet.
Ajo përshtatet.
Ai e përjeton ndihmën si poshtërim.
Ajo e sheh si mjet për ta mbajtur familjen në këmbë.
Këtu filmi fiton dimensionin e vet më njerëzor.

Alban Ukaj dhe pushteti që nuk ka nevojë të bërtasë
Edhe Alban Ukaj, në rolin e Albanit, ka një funksion interesant.
Personazhi nuk ndërtohet si antagonist klasik. Kjo është zgjedhje e mirë.
Albani përfaqëson një klasë që ka arritur të pozicionohet më mirë ekonomikisht dhe që e sheh Shabanin jo vetëm me keqdashje, por edhe me një lloj paternalizmi.
Problemi është se ndihma e tij nuk vjen gjithmonë pa çmim psikologjik.
Kur Shabanit i thuhet se është “turp” të punojë në rrugë sepse familja ka reputacion, Morina prek një paradoks shumë ballkanik: Puna është e ndershme vetëm për aq kohë sa nuk e cenon imazhin social të familjes.
Kështu titulli “Shame and Money” merr kuptimin e plotë.
Turpi dhe paraja bëhen dy valuta të së njëjtës shoqëri.
Jo “Parasite”, edhe pse krahasimi është i kuptueshëm
Është e lehtë që “Shame and Money” të krahasohet me “Parasite” të Bong Joon-ho për shkak të konfliktit klasor.
Megjithatë, ngjashmëria është më shumë tematike sesa kinematografike.
“Parasite” përdor thrillerin, humorin e zi dhe ndryshimet e papritura të tonalitetit. Morina zgjedh realizmin social, ritmin e ngadaltë dhe akumulimin gradual të presionit.

Hindustan Times vëren se, ndryshe nga “Parasite”, këtu nuk ekziston një mekanizëm narrativ që e çon klasën e shtypur drejt hakmarrjes. Shabani dhe Hatixhja janë njerëz që përpiqen të ruajnë mirësinë dhe dinjitetin, edhe kur sistemi ua bën këtë gjithnjë e më të vështirë.
Në këtë aspekt, krahasimi me filmat e Ken Loach apo Stéphane Brizé është ndoshta më i saktë. Pikërisht këtë lidhje e bën edhe Screen Daily, duke theksuar humanizmin social të filmit.
Prishtina si kundërpersonazh
Fotografia e Janis Mazuch ka rol të rëndësishëm në këtë transformim.
Në fshat ekzistojnë qielli, toka, kafshët dhe horizonti.
Kur familja zhvendoset në Prishtinë, hapësira fillon të ngushtohet. Trafiku, ndërtesat dhe ambientet e mbyllura bëhen pjesë e presionit.
Screen Daily veçon pikërisht këtë kalim vizual nga qielli dhe toka e fshatit në kaosin urban, si dhe përdorimin e kamerës së dorës për ta afruar publikun me familjen. Muzika e Mario Batkovic e shton ndjenjën e çorientimit duke përfshirë edhe elemente të muzikës tradicionale.
Kjo është një nga arritjet e filmit: Prishtina nuk paraqitet si “qytet i keq”, por si sistem ku njeriu duhet vazhdimisht të dëshmojë se është ekonomikisht i dobishëm.

Ku filmi dobësohet
Megjithatë, “Shame and Money” nuk është film pa probleme.
Me rreth 129-130 minuta, ritmi i tij i matur është njëkohësisht virtyt dhe pengesë.
Morina dëshiron që presioni të akumulohet ngadalë dhe kjo strategji funksionon për pjesën më të madhe të filmit. Por në segmentin e Prishtinës ka momente kur përsëritja e vështirësive ekonomike fillon të prodhojë më pak efekt sesa duhet.
Një nga kritikat më të drejtpërdrejta ka ardhur nga Film Treasure, që vlerëson fuqinë e aktit të parë në fshat, por argumenton se filmi humbet fokus pasi familja mbërrin në Prishtinë, me disa zhvillime dramatike që perceptohen si më të sforcuara dhe personazhe që humbin përkohësisht drejtimin.
Ky është një kundërshtim i vlefshëm.
Filmi do të mund të ishte më i fortë me një montazh pak më rigoroz. Disa situata përsërisin të njëjtën tezë – Shabani punon, nuk fiton mjaftueshëm, ndihet i poshtëruar dhe kërkon një rrugë tjetër – pa e ndryshuar gjithmonë ndjeshëm konfliktin.
Edhe disa personazhe dytësore funksionojnë më shumë si pjesë të argumentit social sesa si njerëz plotësisht të zhvilluar.
Nga ana tjetër, Variety ka vlerësuar pikërisht faktin se, ndonëse filmi është “slow burn” dhe ofron pak lehtësim emocional, ai nuk bie në një mjerim njëdimensional; marrëdhëniet familjare e mbajnë rrëfimin njerëzor dhe të nuancuar.
Pra, ajo që për një pjesë të publikut do të jetë monotoni, për një tjetër mund të funksionojë si metodë: Morina dëshiron që të ndiejmë lodhjen e përditshme të personazheve, jo vetëm ta kuptojmë atë.
A paraqet Kosovën e sotme?
Një rezervë tjetër lidhet me kohën.
Filmi zhvillohet në një Kosovë bashkëkohore, por disa elemente sociale dhe ekonomike mund t’i japin shikuesit vendor ndjesinë e një realiteti më të afërt me tranzicionin e pasluftës sesa me Prishtinën e vitit 2026.
Kjo nuk e bën filmin domosdoshmërisht më pak të vlefshëm.
Morina nuk duket se synon një dokument sociologjik të Kosovës së sotme. Ai përdor Kosovën si terren për një temë më universale: Çfarë ndodh me një njeri kur puna nuk garanton më dinjitet, ndërsa çdo marrëdhënie njerëzore fillon të marrë vlerë monetare.
Kjo universalitet është pikërisht ajo që vlerësoi juria e Sundance, e cila çmimin ia dha filmit për portretizimin e “dinjitetit njerëzor në Kosovën bashkëkohore” me rezonancë universale dhe për empatinë ndaj një familjeje që detyrohet të fillojë nga e para.
Edhe RogerEbert.com shkroi se në filmin e Morinës “nuk ka asnjë notë të rreme”, duke e cilësuar veprën si të sigurt, inteligjente dhe të kalibruar me kujdes.
Po Oscarët?
Këtu duhet bërë një sqarim i rëndësishëm.
Fitorja në Sundance nuk do të thotë nominim automatik për Oscar.
Por, për Oscarët e 99-të, Akademia ka ndryshuar rregullat. Për herë të parë, përveç filmave që përzgjidhen zyrtarisht nga shtetet, një film në gjuhë joangleze mund të hyjë në procesin e kategorisë Best International Feature Film duke fituar një prej disa çmimeve të caktuara në festivale ndërkombëtare.
Një prej tyre është pikërisht World Cinema Grand Jury Prize në Sundance, çmimi që fitoi “Shame and Money”.
Pra, filmi ka një rrugë reale dhe të drejtpërdrejtë drejt garës për International Feature Film, me kusht që të përmbushë dhe kompletojë kërkesat formale të Akademisë.
Kjo është shumë më domethënëse sesa formulimi i thjeshtë se “Sundance ia dha të drejtën për Oscar”.
A ka mundësi për nominim?
Ka elemente që e ndihmojnë: Fitore në Sundance, një tjetër çmim të rëndësishëm në München, qarkullim të gjerë festivalor dhe, mbi të gjitha, pritje shumë të mirë kritike. Në momentin e këtij shkrimi, Rotten Tomatoes regjistron 100% vlerësime pozitive nga 16 kritika, megjithëse ky rezultat mund të ndryshojë me shtimin e recensioneve të reja.
Tematikisht, filmi është gjithashtu lehtësisht i komunikueshëm jashtë Kosovës: Pabarazia ekonomike, dinjiteti i punëtorit dhe degradimi i klasës së mesme e punëtore janë tema universale.
Dobësia potenciale për një fushatë Oscar është pikërisht natyra e tij shumë e përmbajtur dhe ritmi 130-minutësh. Është film që kërkon durim dhe nuk ka mekanizmat emocionalë ose narrativë të një drame më tradicionale të çmimeve.
Megjithatë, në kategorinë International Feature Film, “Shame and Money” ka arsye serioze për t’u marrë në konsideratë.
Po Astrit Kabashi për Oscar?
Këtu duhet më shumë kujdes.
Nga pikëpamja artistike, Astrit Kabashi ka një interpretim që meriton të hyjë në bisedën ndërkombëtare të filmit. Kjo mbështetet edhe nga kritikat e Hollywood Reporter, Screen Daily dhe media të tjera që në mënyrë specifike veçojnë lojën e tij.
Por një nominim në kategorinë Best Actor është një çështje tjetër.
Për kategoritë e përgjithshme të Oscarëve, filmi duhet të plotësojë kërkesat e përgjithshme të Akademisë për shfaqje kualifikuese dhe më pas nevojitet një fushatë e mirëfilltë amerikane. Akademia konfirmon se për Oscarët e 99-të filmat artistikë duhet të kenë një shfaqje kinematografike kualifikuese gjatë vitit 2026 për t’u konsideruar në kategoritë e përgjithshme.
Prandaj, në këtë fazë do të ishte e ekzagjeruar të thuhej se Kabashi është afër nominimit për aktorin më të mirë.
Por do të ishte po aq e gabuar të shpërfillej interpretimi.
Nëse filmi siguron shpërndarje dhe fushatë të fortë në SHBA, Kabashi ka një rol që kritikët mund ta mbështesin: Një interpretim minimalist, fizik dhe emocionalisht shumë të kontrolluar, i cili bëhet gjithnjë e më i fuqishëm pa kërkuar skena demonstrative.
Paradoksalisht, e njëjta gjë që e bën rolin artistikisht të mirë mund ta bëjë më të vështirë në sezonin e çmimeve: Kabashi nuk “luan për çmim”.
Ai e mban Shabanin brenda vetes.
Përfundim
“Shame and Money” është një film për varfërinë, por nuk është vetëm film për të varfrit. Është film për momentin kur paratë pushojnë së qeni mjet dhe bëhen masë e vlerës së njeriut.
Visar Morina dhe bashkëskenaristja Doruntina Basha nuk e trajtojnë Shabanin si hero dhe as si viktimë të pastër. Krenaria e tij është ajo që e mban në këmbë, por njëkohësisht ajo që e shtyn drejt humnerës.
Filmi ka dobësi. Është i gjatë, në pjesën e mesme herë pas here përsërit vetveten dhe disa figura dytësore mund të ishin zhvilluar më tej.
Por cilësitë e tij janë më të vështira për t’u arritur: Ka një botë të besueshme, një identitet vizual të qartë, një skenar që nuk e nënvlerëson publikun dhe një ansambël aktorësh jashtëzakonisht të disiplinuar.
Mbi të gjitha ka Astrit Kabashin dhe Flonja Kodhelin, të cilët nuk e luajnë varfërinë – e bëjnë të ndihet.
Në Shabanin e Kabashit, “Shame and Money” gjen figurën e një njeriu që mendon se po lufton për të siguruar para për familjen, ndërsa gradualisht kupton se beteja e vërtetë është për të ruajtur vetveten.
Dhe pyetja që mbetet pas filmit nuk është nëse Shabani do të bëhet i pasur.
Është shumë më e dhimbshme:
Sa kushton dinjiteti kur nuk ke më para për ta përballuar?
