Ish-kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas protestës së mbajtur sot në Prishtinë kundër vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Përmes një postimi, Haradinaj ka thënë se sheshet e Kosovës po mbushen çdo ditë me thirrje për drejtësi, ndërsa ka falënderuar qytetarët që morën pjesë në protestë.
“Çdo ditë, sheshet e Kosovës po mbushen me thirrje për drejtësi. Edhe sot nga Prishtina marshuam duke kërkuar Liri për Çlirimtarët”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka falënderuar gjithashtu shqiptarët në Kosovë dhe jashtë saj, duke thënë se vendimit të Hagës po i përgjigjen me mesazhin “Jo në emrin tim”.
“Faleminderit gjithë shqiptarëve anembanë botës. Faleminderit secilit që vendimit të Hagës po i përgjigjet me: JO NË EMRIN TIM! Rroftë UÇK!”, ka shkruar Haradinaj.
