Deputetja Ganimete Musliu ka reaguar përmes një deklarate lidhur me rëndësinë e lirisë së mediave, duke dënuar kërcënimet, presionet dhe fushatat linçuese ndaj gazetarëve.
Si anëtare e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, ajo ka kërkuar që institucionet përgjegjëse t’i trajtojnë seriozisht këto raste, duke theksuar se mbrojtja e gazetarëve është përgjegjësi e përbashkët dhe kusht thelbësor për demokracinë.
Postimi i plotë:
KËRCËNIMET, PRESIONET DHE FUSHATAT LINÇUESE NDAJ GAZETARËVE JANË TË PA PRANUESHME
Si anëtare e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, e theksoj qartë se liria e mediave është një nga shtyllat themelore të demokracisë dhe të një shoqërie të lirë.
Kërcënimet, presionet dhe fushatat linçuese ndaj gazetarëve janë të papranueshme dhe përbëjnë sulm ndaj fjalës së lirë, informimit të drejtë dhe interesit publik. Gazetarët duhet të kenë mundësi ta kryejnë punën e tyre pa frikë, pa intimidim dhe pa ndërhyrje politike apo institucionale.
Çdo kërcënim ndaj një gazetari duhet të trajtohet seriozisht nga institucionet përgjegjëse dhe të hetohet me përkushtim. Heshtja përballë këtyre rasteve vetëm sa e inkurajon klimën e presionit dhe të pasigurisë.
Mbrojtja e gazetarëve dhe garantimi i lirisë së mediave nuk është çështje e një partie apo grupi të caktuar. Është përgjegjësi e përbashkët institucionale dhe shoqërore. Demokracia nuk mund të jetë e shëndoshë pa media të lira, të pavarura dhe të sigurta.
Të gjithë duhet të qëndrojmë të bashkuar kundër kërcënimeve dhe fushatave linçuese ndaj gazetarëve.
