Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj Gani Gecit, i dyshuar për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj.
Vendimi është marrë pas një seance dëgjimore që ka zgjatur gati dy orë në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë.
Gjatë kësaj kohe, familjarët e Gecit kanë qëndruar në ambientet e Gjykatës, duke pritur vendimin lidhur me masën e sigurisë ndaj tij.
Në seancë është shqyrtuar kërkesa e Prokurorisë për paraburgim, ndërsa mbrojtja ka pasur mundësinë të paraqesë kundërshtimet e saj.
Me vendimin e Gjykatës, Gecit i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

