Në Komunën e Skenderajt sot do të mbahen aktivitete përkujtimore dhe ceremonia e varrimit të mbetjeve mortore të heroit Idriz Rrecaj, në nderim të jetës, veprës dhe kontributit të tij për atdheun.
Aktivitetet do të nisin në orën 12:00 me akademinë përkujtimore në Shtëpinë e Kulturës “Hasan Prishtina” në Skenderaj.
Nga ora 13:00 deri në 15:00, qytetarët do të kenë mundësi të bëjnë homazhe pranë arkivolit në palestrën sportive “Ilaz Kodra”.
Ndërkaq, ceremonia e varrimit do të mbahet në orën 16:00, në Varrezat e Dëshmorëve në Marinë.
Idriz Rrecaj ishte një nga viktimat e “Grupit të intelektualëve”, eshtrat e të cilëve u gjetën së fundmi në një varrezë masive në Zubin-Potok.
Ceremonia e sotme do t’i kushtohet nderimit të figurës dhe sakrificës së tij për atdheun.
