Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të dielën hodhi poshtë thirrjet për dorëheqjen e tij, të bëra gjatë protestave në rritje në rrugë, dhe tha se ato përbënin kërcënim jo për qeverinë e tij, por për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, shkruan agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters.
Demonstratat e udhëhequra nga studentët, të nxitura nga zemërimi për korrupsionin e perceptuar qeveritar, mungesën e vendeve të punës dhe standardet e dobëta të arsimit, kanë përfshirë qendrën e Tiranës dhe janë përhapur në qytete të tjera gjatë javës.
Demonstruesit që kërkojnë dorëheqjen e Ramës u kanë vënë zjarrin ndërtesave qeveritare, si dhe bankave, dhe kanë shkulur gurët e trotuareve për t’ua hedhur policëve, të cilët janë përgjigjur me gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome.
Trazirat, të cilat pasuan muaj të tërë protestash kryesisht paqësore gjatë verës kundër një projekti luksoz zhvillimi në bregdet, të mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, përbëjnë sfidën më të madhe deri më tani për Ramën, i cili qeveris që nga viti 2013 dhe vitin e kaluar fitoi mandatin e katërt në detyrë.
“Nuk po sfidohem unë, nuk po sfidohet qeveria, nuk po sfidohet shumica qeverisëse apo një parti që ka fituar zgjedhjet, por po sfidohet një rrugë, po sfidohet një mision”, tha Rama në një fjalim të drejtpërdrejtë në Facebook.
“Shqiptarët duhet të mendojnë shumë qartë: A e duan këtë, a e duan atë, apo e duan BE-në?”
Ndërsa Rama po fliste, ekskavatorët po gërmonin dhe po hiqnin gurët e trotuarit para zyrës së tij në qendër të Tiranës, në pritje të një rundi të ri protestash.
Skandalet e korrupsionit e kanë njollosur imazhin e Shqipërisë ndër vite dhe analistët thonë se vendi është një qendër për bandat që synojnë t’i pastrojnë paratë e përfituara nga trafiku i drogës dhe armëve.
Megjithatë, Rama ka thënë se qeveria e tij po e lufton korrupsionin si kurrë më parë. Së bashku me Malin e Zi, Shqipëria aktualisht është në krye të grupit të vendeve të Ballkanit që synojnë t’i bashkohen BE-së dhe synon anëtarësimin deri në vitin 2030.
Rama fajësoi interesa të paspecifikuara të huaja për protestat dhe për atë që ai tha se ishte një përpjekje për sulm me dron ndaj zyrës së tij këtë javë.
“Zoti e di se cilat do të jenë pasojat. Nuk ka të rinj, nuk ka studentë dhe nuk ka të mitur që do të mendonin qoftë edhe ta zbatonin këtë plan. Kjo është dorë e huaj”, tha ai.
Policia tha se 388 persona ishin akuzuar për vepra penale gjatë demonstratave. Dhjetëra policë dhe protestues janë lënduar.
