OVL-UÇK kritikon Trendafilovën: Dhomave të Specializuara u mungojnë dinjiteti dhe profesionalizmi

OVL-UÇK kritikon Trendafilovën: Dhomave të Specializuara u mungojnë dinjiteti dhe profesionalizmi

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar ndaj deklarimeve të kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, duke i cilësuar pretendimet e saj për ligjin që rregullon veprimtarinë e kësaj gjykate si të çuditshme dhe qesharake.

Në reagimin e saj, OVL-UÇK ka theksuar se ligjet në Kosovë miratohen nga Kuvendi, ndërsa Dhomat e Specializuara janë themeluar pikërisht nga ky institucion.

Organizata ka kritikuar Trendafilovën për atë që e ka cilësuar si arrogancë ndaj Kuvendit në çështjet që lidhen me sundimin e ligjit. Sipas OVL-UÇK-së, kritikat ndaj vendimeve gjyqësore janë e drejtë legjitime dhe organizata nuk do të heqë dorë prej tyre.

“Trendafilova duhet ta dijë se t’i mbash leksione Kuvendit për sundimin e ligjit, përderisa e trajton interpretimin personal si të padiskutueshëm, është arrogancë”, thuhet në reagim.

OVL-UÇK ka ritheksuar qëndrimin e saj se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë, duke theksuar se liria dhe shtetësia e Kosovës qëndrojnë mbi sakrificën e atyre që u ngritën kundër gjenocidit.

Në fund të reagimit, organizata ka vlerësuar se gjykatat nuk duhet të shndërrohen në institucione që përcaktojnë historinë, por duhet ta kryejnë punën e tyre me dinjitet dhe profesionalizëm.

“Fatkeqësisht, në rastin e Dhomave të Specializuara kanë munguar që të dyja, edhe dinjiteti, edhe profesionalizmi”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

Related Articles