Dilema të reja janë hapur pasi Presidentja Justina Shiroka-Pula e ktheu në Kuvend ligjin për Dhomat e Specializuara, pas kërkesës së PDK-së. Udhëheqësja e përkohshme e këtij subjekti, Vlora Çitaku thotë se ligji do të rishqyrtohet brenda katër javësh, por kryetarja e Parlamentit Albulena Haxhiu deklaron se nuk ka hapësirë për amendamente të tjera. Deputeti i Aleancës Burim Ramadani po ashtu thekson se ligji s’ mund të ndryshohet, sipas tij, Kuvendi mund të votojë për ta hedhur poshtë veton e Presidentes ose jo. Për kthimin e ligjit ka reaguar edhe BE. Ata kanë kërkuar që të konsultohen nëse diskutimet për ligjin rifillojnë.
Kthimi në Kuvend i Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar ka nxitur reagime të ndryshme të partive, të cilaat kanë interpretime të kundërta për hapat që duhet ndjekur më tej.
Presidentja Justina Shiroka-Pula e ktheu ligjin për rishqyrtim të enjten, pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës, e cila ishte sponsorizuese e tij.
Në arsyetimin e saj, presidentja ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ka bërë të ditur se po zhvillon konsultime për koordinimin e veprimeve institucionale dhe diplomatike.
“Ajo ka rikujtuar gjithashtu mbështetjen e saj për Deklaratën e Kuvendit të Republikës së Kosovës të 28 shtatorit 2026, lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Kthimi i Ligjit ka trazuar Partinë Demokratike të Kosovës.
Deputeti Përparim Gruda ka thënë se i qëndron prapa dhe se Ligji nuk e ka asnjë gabim.
“Unë nuk tërhiqem nga bindja ime, nuk distancohem nga puna ime dhe nuk heq dorë nga qëllimi për të cilin ky ligj u hartua”, ka shkruar Gruda.
Zyrtarë tjerë të PDK, pas dorëheqjes së Kryetarit të tyre Bedri Hamza kanë kërkuar përgjegjësi edhe nga struktura tjera të partisë duke e kërkuar dorëheqjen e tyre.
Veprimi i PDK për tërheqjen e Ligjit në opinion tashmë po shihet në kontekst të betejës për kreun e partisë.
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka insistuar se partia e saj nuk është tërhequr nga nisma dhe se ligji do të vazhdojë të trajtohet në Kuvend.
Çitaku ka deklaruar se synimi është që ligji të rishqyrtohet brenda katër javësh, duke argumentuar se koha shtesë duhet të shërbejë për adresimin e paqartësive juridike dhe forcimin e bazës ligjore.
“Një gjë duhet të jetë e qartë: kërkesa e PDK-së për rikthimin e ligjit në Kuvend nuk është as tërheqje prej tij – dhe as nuk e zbehë atë. Qëndrimi ynë mbetet ai i ditës kur e propozuam dhe kur e votuam. Për t’u dhënë përgjigje pikëpyetjeve të ngritura, si sponsorizues i dhamë procesit edhe katër javë kohë. Qëllimi është një dhe i vetëm: të hiqet çdo mëdyshje, të forcohet baza juridike e ligjit dhe të sigurohet zbatimi i tij në praktikë”, ka thënë ajo.
Por, çfarë thonë në VV, e cila ka shumicën në Kuvendin e Kosovës dhe e cila u përballë edhe me protesta rreth tri javë më parë, për kalimin e tij
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka dhënë një qëndrim tjetër sa i përket mundësisë së ndryshimit të tekstit të ligjit.
“Kuvendi do të vendosë, do të ketë ligj apo nuk do të ketë ligj. Nuk ka hapësira për të bërë ndryshime ligjore ose amendamente tjera, sepse këtë çështje e ka sqaruar tashmë Gjykata Kushtetuese në një aktgjykim të mëhershëm”, ka deklaruar Haxhiu.
Deklarata e saj vë në pikëpyetje mundësinë e rihapjes së tekstit për ndryshime të reja, ashtu siç ka kërkuar PDK-ja.
Sipas qëndrimit të Haxhiut, Kuvendi duhet të veprojë brenda kufijve kushtetues dhe të marrë vendim për ligjin, pa hapur mundësi për amendamente të tjera.
Juristi Robert Muharremi ka vlerësuar se Kuvendi i Kosovës mund ta ndryshojë një ligj të kthyer nga Presidentja për rishqyrtim, për t’i adresuar arsyet e kthimit. Në një analizë të tij, ai ka kundërshtuar interpretimin se deputetët mund vetëm ta konfirmojnë tekstin e miratuar më parë ose ta rrëzojnë atë.
“Nëse Kuvendi do të kishte të drejtë vetëm ta rivotonte tekstin identik të ligjit pa pasur mundësi ta korrigjojë apo ndryshojë atë për të adresuar arsyet e cekura nga Presidenti, atëherë detyrimi kushtetues që Presidenti të paraqesë arsyet specifike dhe që ligji t’i nënshtrohet rishqyrtimit do të humbiste çdo kuptim substancial”, ka shkruar Muharremi.
Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, ka folur po ashtu për mundësitë procedurale pas kthimit të ligjit nga presidentja.
Ramadani në një postim në Facebook ka shkruar se Kuvendi nuk mund ta ndryshojë Ligjin që e ktheu Presidentja.
Sipas tij, nëse ligji nuk i merr votat e nevojshme për t’u miratuar, atëherë çështja do të duhej të trajtohej nga fillimi.
“Kuvendi me 61 vota mund ta përmbys Veton e Presidentes. Në këtë rast, Ligji hyn në fuqi pa asnjë pikë ndryshimi”.
Bashkimi Evropian, ndërkaq, ka mirëpritur vendimin e Presidentes së Kosovës për të kthyer në rishqyrtim në Kuvend Ligjin duke shtuar se pret të konsultohet nëse diskutimet për të rinisin në Kuvend.
“BE-ja vazhdimisht ka shprehur shqetësim të thellë për nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, si para ashtu edhe pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës më 6 tetor”, ka thënë një zëdhënës i Bashkimit Evropian.
“Në frymën e letërkëmbimit mes përfaqësueses së lartë të BE-së dhe presidentes së Kosovës, përcakton modalitete të konsultimit me BE-në para ndryshimit të legjislacionit, presim që BE-ja të konsultohet nëse diskutimet rinisin në Kuvend”, ka shtuar tutje zëdhënësi i BE.
