Zyrtare: Granit Xhaka rikthehet te Zvicra për ndeshjet e nëntorit, mbetet edhe kapiten i helvetikëve

Zyrtare: Granit Xhaka rikthehet te Zvicra për ndeshjet e nëntorit, mbetet edhe kapiten i helvetikëve

Granit Xhaka do të rikthehet në Kombëtaren e Zvicrës për ndeshjet e nëntorit në Ligën e Kombeve, ndërsa do ta vazhdojë edhe detyrën e kapitenit të përfaqësueses.

Federata Zvicerane e Futbollit (SFV) ka vendosur që Xhaka dhe Breel Embolo të jenë sërish në dispozicion të përzgjedhësit Murat Yakin, pas përfundimit të procedurave ligjore lidhur me rastin e certifikatave të falsifikuara të COVID-19, të cilat datojnë nga viti 2021 dhe 2022.

Pas shqyrtimit të të dy rasteve, drejtuesit e federatës kanë vlerësuar se rikthimi i futbollistëve është i arsyeshëm, duke marrë parasysh përfundimin e procedurave ligjore dhe pasojat sportive që kanë vuajtur, pasi i kanë humbur katër ndeshje të përfaqësueses gjatë muajve shtator dhe tetor.

“Jemi marrë me këtë çështje duke marrë parasysh këndvështrime të ndryshme. Rrethanat konkrete të të dy rasteve, përfundimi i procedurave ligjore dhe pasojat sportive që tashmë janë zbatuar kanë ndikuar në vendimin tonë. Jemi të bindur se rikthimi i tyre në Kombëtare në nëntor është i përgjegjshëm dhe i drejtë”, deklaroi drejtori i përfaqësueseve të Zvicrës, Pierluigi Tami.

Përveç rikthimit në Kombëtare, mesfushori shqiptar do ta ruajë edhe shiritin e kapitenit. Për këtë kanë vendosur njëzëri përzgjedhësi Murat Yakin, stafi i tij teknik dhe këshilli i lojtarëve të përfaqësueses.

Lista e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet e fundit të Zvicrës në Ligën e Kombeve do të publikohet të enjten, më 5 nëntor 2026. Emrat e Xhakës dhe Embolos tashmë janë pjesë e listës së gjerë të kandidatëve për grumbullim.

“Jam i lumtur që për grumbullimin e nëntorit mund të përzgjedh sërish pa asnjë kufizim”, u shpreh përzgjedhësi Yakin.

Zvicra do të përballet me Slloveninë më 13 nëntor në Maribor, ndërsa tri ditë më vonë do ta presë Skocinë në St. Gallen, në dy ndeshjet e fundit të fazës së ligës në Ligën e Kombeve.

Pas katër fitoreve në katër ndeshjet e para, zviceranët do të synojnë ta vazhdojnë ecurinë pozitive, tashmë me mundësinë që kapiteni Granit Xhaka të rikthehet në skuadër.

Grumbullimi do të nisë të hënën, më 9 nëntor, në St. Gallen, ku po atë ditë do të mbahet edhe një stërvitje e hapur për publikun, duke filluar nga ora 17:00.

Related Articles