“Drejtësia nuk mund t’ia kthejë fëmijës përqafimin e nënës” – Avokati Besnik R. Berisha merr përsipër përfaqësimin e familjes së Arlinda Zekajt

“Drejtësia nuk mund t’ia kthejë fëmijës përqafimin e nënës” – Avokati Besnik R. Berisha merr përsipër përfaqësimin e familjes së Arlinda Zekajt

Avokati i njohur Besnik R. Berisha ka njoftuar se ka marrë përsipër përfaqësimin e interesave ligjore të familjes së Arlinda Zekajt, gruas që u vra tragjikisht në Vitomiricë të Pejës, duke paralajmëruar angazhim për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe verifikimin e çdo veprimi apo mosveprimi institucional.

Përmes një reagimi publik, në ditën kur Arlinda Zekaj u përcoll për në banesën e fundit, Berisha ka bërë të ditur se përfaqësimin e ka pranuar me kërkesë dhe autorizim të familjes së viktimës.

Ai ka treguar se gjatë ditës ka pranuar kërkesa të shumta nga gazetarët për prononcime dhe pjesëmarrje në emisione televizive, por ka vendosur të mos flasë publikisht për dhimbjen e familjes në momentet kur ajo po i jepte lamtumirën e fundit Arlindës.

“Sot, teksa një fëmijë po i jepte lamtumirën e fundit nënës së tij, unë nuk kisha zemër të flisja për dhimbjen e tyre në studio televizive!”, ka shkruar Berisha.

Avokati ka theksuar se asnjë vendim gjyqësor apo dënim nuk mund ta kthejë Arlindën në jetë dhe as t’ia rikthejë fëmijës përqafimin e nënës.

“Një fëmije që ka humbur nënën, drejtësia nuk mund t’ia kthejë përqafimin e saj. Familjes nuk mund t’ia kthejë ditët që do t’i jetonin bashkë, as gëzimet që do t’i ndanin me të”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, Berisha ka theksuar se drejtësia mund t’i japë familjes të vërtetën dhe përgjigjet për gjithçka që ka rëndësi në zbardhjen e tragjedisë.

Berisha paralajmëron verifikimin e veprimeve dhe mosveprimeve institucionale

Në reagimin e tij, avokati ka bërë të qartë se angazhimi ligjor do të përqendrohet në kërkimin e përgjegjësisë aty ku ajo mund të provohet, pa paragjykuar institucionet apo zyrtarët e përfshirë.

“Jo për të gjetur me çdo kusht fajtorë, por për të kërkuar që asnjë përgjegjësi e provuar të mos mbetet pa trajtimin që kërkon ligji. Jo për të paragjykuar institucione apo zyrtarë të tyre, por për të kërkuar që çdo veprim dhe mosveprim që mund të ketë rëndësi për këtë rast të verifikohet me seriozitetin e duhur”, ka theksuar Berisha.

Ai ka shtuar se askush nuk duhet të dënohet pa prova, por njëkohësisht askush nuk duhet t’i shmanget përgjegjësisë për shkak të pozitës që mban.

“Nëse dikush ka vepruar drejt, kjo duhet të vërtetohet. Nëse dikush ka dështuar në përmbushjen e detyrimeve të veta, edhe kjo duhet të vërtetohet”, ka deklaruar avokati.

“Nuk do ta shndërrojmë tragjedinë e Arlindës në betejë politike”

Berisha ka theksuar se nuk do të lejojë që angazhimi i tij në këtë rast të shndërrohet në përplasje politike.

Sipas tij, familja e Arlindës nuk ka nevojë që dhimbja e saj të përdoret për sulme ndaj kundërshtarëve politikë apo për mbrojtjen e institucioneve përpara se të sqarohen faktet.

“Një nënë ka humbur jetën. Një fëmijë ka mbetur pa nënën e tij. Kjo tragjedi duhet të na bashkojë në kërkesën për drejtësi, jo të na ndajë në përpjekje për përfitime politike”, ka shkruar ai.

Avokati ka paralajmëruar bashkëpunim me institucionet kompetente, duke kërkuar që hetimi të jetë i plotë, profesional, i paanshëm dhe i mbështetur në prova.

“Familjes së Arlindës i kemi borxh që kjo lamtumirë të mos jetë fundi i përpjekjeve për të vërtetën”

Në fund të reagimit, Berisha ka shprehur vendosmërinë që të vazhdojë angazhimin ligjor edhe pasi vëmendja publike ndaj tragjedisë të zbehet.

Ai ka theksuar se nuk mund t’i premtojë familjes një rezultat të caktuar të procedurave, por se do të bëjë gjithçka që i lejojnë ligji, përvoja dhe ndërgjegjja profesionale për të kërkuar përgjigje.

“Do të ishte padrejtësi e rëndë që, pas gjithë kësaj, të mbeteshin edhe me ndjenjën se e vërteta nuk u kërkua deri në fund, se pyetjet e tyre mbetën pa përgjigje dhe se dikush mund të kishte bërë më shumë, por nuk e bëri”, ka shkruar ai.

“Sot, Arlindës i thamë lamtumirë. Familjes së saj i kemi borxh që kjo lamtumirë të mos jetë edhe fundi i përpjekjeve për ta zbardhur të vërtetën”, ka përfunduar Berisha.

Arlinda Zekaj u vra të dielën në Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuar për vrasjen është kunati i saj, Albert Sylaj. Rasti ka nxitur reagime të shumta publike dhe kërkesa për sqarimin e rrethanave që i paraprinë vrasjes, përfshirë trajtimin institucional të denoncimeve të mëparshme të viktimës.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Related Articles