Nesër do të mbahet sërish protestë në Prishtinë, në kërkim të drejtësisë për Arlinda Zekajn dhe të gjitha gratë e vrara. Protesta do të nisë në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, ka njoftuar Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.
Përmes një thirrjeje publike, kolektivi ka bërë të ditur se protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, ndërsa ka paralajmëruar se protestuesit do të dalin në rrugë dhe do t’i bllokojnë institucionet.
“Do të mblidhemi prapë për të kërkuar drejtësinë që Arlinda na e la amanet dhe drejtësi për të gjitha gratë e vrara”, thuhet në njoftim.
Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’u bashkohen protestave, duke kërkuar përgjegjësi nga shteti për sigurinë e grave.
“Edhe nesër do të dalim rrugëve e do t’i bllokojmë institucionet sepse është momenti i fundit që ky shtet të japë llogari. Dilni nga puna, nga shtëpia e nga klasa e na u bashkoni sërish. Do të vazhdojmë të protestojmë deri kur kërkesat tona të plotësohen”, thuhet në thirrjen e tyre.
Kolektivi ka kërkuar organizim dhe solidarizim kombëtar, duke theksuar se synimi është siguria dhe liria për gratë e gjalla, si dhe drejtësia për gratë e vrara.
