Sinjali mëson nga burimet e saj se personi i arrestuar është Brahim Demiri, babai i 27-vjeçarit të ndjerë dhe gjyshi i foshnjës.
I dyshuari është arrestuar pas hetimeve fillestare të Policisë së Kosovës, ndërsa me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.
Siç raportoi më herët Sinjali, 27-vjeçari është identifikuar si Adonis Demiri, ndërsa foshnja e gjetur pa shenja jete ishte e gjinisë femërore.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se nëna e foshnjës nuk jetonte në të njëjtën shtëpi me 27-vjeçarin dhe vajzën e vogël.
Rasti ishte raportuar më 1 nëntor, rreth orës 08:47. Në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitet policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku ishte konstatuar vdekja e dy personave.
Rasti po hetohet si “Vrasje e rëndë”, ndërsa trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje janë duke vazhduar.
