Ish-prokurorja speciale e Kosovës, Drita Hajdari, ka shpërthyer në kritika të ashpra ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, pas vendimit të Kuvendit Komunal për projektin e ndërtimit të një objekti të ri dhe një garazhi nëntokësor në lagjen Ulpiana, në zonën e njohur si Fontana.
Hajdari, e cila jeton në Ulpianë dhe gjatë karrierës së saj ka trajtuar edhe raste të korrupsionit në institucionet publike, e ka cilësuar projektin si një goditje të rëndë ndaj gjelbërimit dhe karakterit urban të kësaj lagjeje.
Në një reagim të gjatë në Facebook, me titull “Arkitekti (i qytetit) nga Londra”, ajo ka shprehur zhgënjimin e saj me Ramën, duke kujtuar se e kishte votuar me bindjen se përvoja e tij si arkitekt do t’i shërbente zhvillimit të kryeqytetit.
“Pas betonimit të qendrës së qytetit, arkitekti nga Londra tani i është turrur Ulpianës, të vetmës pjese urbane dhe të gjelbër që ka mbetur në qytet. Që është edhe më keq, shumica e asamblistëve komunalë, të cilët u zgjodhën për të përfaqësuar interesat e qytetarëve, votuan pro këtij krimi ndaj qytetit”, ka shkruar Hajdari.
Ish-prokurorja ka ngritur gjithashtu dyshime për mënyrën se si mund të zhvillohet projekti dhe për përfituesit e mundshëm të tij, duke përmendur edhe mundësinë e reagimit të prokurorisë në të ardhmen.
“Koha do të tregojë se kush do të përfshihet dhe kush do të përfitojë nga ky ‘projekt i madh dhe i rëndësishëm’, kinse për nevojat e Lojërave Mesdhetare”, ka deklaruar ajo.
Hajdari ka kritikuar edhe prioritetet e udhëheqjes komunale, duke theksuar se banorët e Ulpianës përballen prej vitesh me probleme të kanalizimit, kundërmim të rëndë dhe ashensorë të vjetruar në ndërtesat e larta.
Sipas saj, në vend të zgjidhjes së këtyre problemeve, Komuna po synon një ndërtim që mund ta rëndojë edhe më shumë infrastrukturën ekzistuese dhe të zvogëlojë hapësirat e gjelbra.
Kritikat më të ashpra Hajdari i ka rezervuar për fundin e reagimit, ku ka akuzuar politikisht Ramën për mënyrën se si po e drejton kryeqytetin.
“Më dhemb Ulpiana. Më tmerron qëllimi i pamëshirshëm i arkitektit nga Londra për të shkatërruar gjithçka që mund të shkatërrohet, para se të kthehet në Londër”, ka shkruar ajo.
Në përfundim, ish-prokurorja ka bërë thirrje që qytetarët të kërkojnë përmes institucioneve kompetente anulimin e vendimit, duke paralajmëruar se mosveprimi do t’i bënte edhe ata përgjegjës për atë që ajo e quan “krim kundër Ulpianës”.
