Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona nën dyshimin për mashtrim lidhur me pranimin e fondeve nga komuniteti ndërkombëtar. Ata dyshohen se kanë keqpërdorur gjithsej 62 mijë e 902 euro nga dy grante në vlerë prej 575 mijë e 736 eurosh.
“Të dyshuarit janë intervistuar nën dyshimin për përfshirje në veprën penale ‘Mashtrimi lidhur me pranimin e fondeve nga komuniteti ndërkombëtar’. Dy të dyshuarit: H.L., dhe T.M., (meshkuj kosovarë), në cilësi të drejtorit të një kompanie, gjegjësisht tjetri si menaxher i saj, dyshohen që kanë pranuar dy grante në vlerë prej 575,736.00 €. Granti i parë është fituar në vlerë prej 293,500.00 €. Dyshohet që nga shuma e përgjithshme e këtij garanti janë keqpërdorur 23,000.00 € duke paraqitur raportim të rrejshëm se linjat e shpenzimeve për blerjen e makinerive, janë realizuar në tërësi”, thuhet në njoftimin e policisë.
“Granti i dytë është fituar në vlerë prej 282,236.00€, nga kjo shumë janë keqpërdorur 39,902.00€ duke paraqitur raportim të rrejshëm se linjat e shpenzimeve për blerjen e makinerive, janë realizuar në tërësi”.
Sipas Policisë, të dyshuarit dyshohet se kanë paraqitur raporte të rreme për blerjen e makinerive, duke pretenduar se shpenzimet ishin realizuar plotësisht.
“Gjatë procesit hetimor është vërtetuar që të dyshuarit nga këto dy grante kanë arritur të keqpërdorin mjete monetare në vlerë prej 62,902.00 € në tersi.”
Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, me urdhër të prokurorit, të dy janë ndaluar për 48 orë.
Veriu.info mëson se H.L. është Hasan Lahu, ish drejtor në fabrikën e kërpudhave ‘Hirano Mushroom L.L.C.’, ku në mesin e aksionarëve të kompanisë është edhe Behgjet Pacolli me 43% përmes kompanisë ‘INTEREX Sagl – Dega Kosovë Dega në Kosovë’.
Personi tjetër i arrestuar është Taulant Murati, i cili me ‘Hirano Mshroom’ ka bashkëpunuar përmes konsulencës.
Burime të Veriu.info bëjnë të ditur se keqpërdorimi dyshohet se ka ndodhur në fabrikën e kërpudhave ‘Hirano Mushroom L.L.C.’.
Pas këtyre arrestimeve ka reaguar edhe Behgjet Pacolli, i cili pretendon se të arrestuarit kanë punuar si vartës të Valon Llukës në kompaninë “Hirano”, pjesë e Grupit Mabetex.
Pacolli ka kërkuar hetim të plotë për rolin e Valon Llukës dhe bashkëpunëtorëve të tij, duke përfshirë edhe kontratat, transaksionet dhe vendimet që mund të jenë të dyshimta.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
