Sveçla arsyetohet me procedura, Musliu: “Përziju o burrë në fillim, mos i le policët pa uniforma”

Sveçla arsyetohet me procedura, Musliu: “Përziju o burrë në fillim, mos i le policët pa uniforma”

Uniformat e Policisë së Kosovës kanë përplasur deputeten e PDK-së, Ganimete Musliu me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Musliu kërkoi përgjigje lidhur me shtyrjen e ceremonisë së diplomimit të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës dhe problemet me uniforma, por Sveçla u arsyetua me procedurat e prokurimit, raporton Klankosova.tv

Deputetja tha se tenderi është dashur të përgatitet me specifika të qarta dhe të mos shkaktohen vonesa të tilla në fazën përfundimtare – e të ndikojnë në moralin e pjesëtarëve të rinj që prisnin me padurim diplomimin.

“Ministër, atë që keni hasur në parregullsi, e për shkak të parregullsive është anuluar tenderi. Tenderi hapet me disa specifika, është dashur me qenë strikte e mos me pranu asnjë kontratë e cila nuk i përmbush ato specifika. Pse është dashur problemet me u evidentu kur është dashur me përfundu tenderi?

Nuk dyshoj në përkrahjen tuaj, që ju thoni se nuk e zbeh asnjëherë motivin për përkrahje, por zoti ministër, a e dini që e keni zbehur fort moralin e Policisë së Kosovës? A e dini çka do të thotë për një vajzë e djalë të ri, që e pret me padurim me veshë uniformën e me shiju ceremoninë e diplomimit, t’ia shtyni pse s’ka uniforma? Kjo është përgjegjësi e juaja personale si ministër”, deklaroi Musliu.

Në përgjigje, Sveçla tha se përcaktimi i kritereve në procedurat tenderuese është kompetencë e Policisë së Kosovës dhe jo e ministrit.

“Unë s’i përcaktoj kriteret e një procedure tenderuese, është përgjegjësi e Policisë së Kosovës. Unë jam faktori i fundit që pastaj bëj verifikimin nëse procedurat janë ndjekur në fillim. Po u përziva unë në fillim, ju vini me akuzë se unë po merrem me procesin e furnizimit. Sa për moralin e Policisë, të gjithë jemi dëshmitarë për sukseset e Policisë”, u shpreh ministri.

Musliu e kundërshtoi këtë arsyetim, duke i kërkuar atij që të përfshihet që në fillim të proceseve dhe të mos lejojë që policët të mbesin pa uniforma, transmeton Klankosova.tv

“Ta rekomandoj me u përzi në fillim, se ti apet po përzihesh në fund dhe po shkatërron gjithçka. Përziju o burrë në fillim, thuj ti ke me marrë tenderin, por mos i lër policët pa uniforma. Policët i ke pa uniforma. Po thu i kena nda 100 e sa milionë, në rregull është, por policët i ke pa uniforma. Na kemi pasë buxhet ma pak, po s’ka pasë policë që t’u ka anku për uniformë, këpucë e kapela. Logjika nuk është e qartë, më shumë buxhet, por më të keqtrajtuar Policia”, tha Musliu.

Related Articles