Psikologu, profesor universitar dhe ish-zëvendëskryeministër i Serbisë, Zharko Koraq, ka thënë se fitorja e Listës Serbe është kthesë historike për Serbinë, porse në marrëdhëniet me Kosovën, nuk do të ketë shumë ndryshime.
Ai në një intervistë për Kdp ka thënë se i ka parë deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se shpreson për njohjen e Kosovës nga Serbia, porse një gjë e tillë me siguri që nuk do të ndodhë.
“Kam parë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur shpresën se qeveria e re mund ta njohë Kosovën. Kjo pothuajse me siguri nuk do të ndodhë. Ka shumë arsye për këtë, ndër të tjera edhe sepse do të hynte në një konflikt të hapur me Kishën Ortodokse Serbe, e cila e priti fitoren studentore me shumë ftohtësi. Të mos harrojmë se gjatë vizitës në Moskë, gati një vit më parë, patriarku Porfirije deklaroi se në Serbi po zhvillohej një ‘revolucion me ngjyra’, duke i barazuar protestat studentore me shkëputjen politike të Ukrainës nga Moska”, ka thënë ai.
Sipas Koraqit, marrëdhëniet me Kosovën do të mbeten të njëjta, duke shtuar se në këtë proces pret më së paku ndryshime.
“Por Kurti ka një problem interesant: të gjithë deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës janë nga lista e Vuçiqit. Nëse ndonjëri prej tyre do ta ndryshojë përkatësinë politike, mbetet ta shohim”, ka thënë ai.
Sipas tij, marrëdhëniet me Evropën do të përmirësohen, ndonëse për momentin nuk është e qartë se sa do të ndryshojnë marrëdhëniet me Rusinë.
