Topi ikonik me yje i Ligës së Kampionëve do të ketë një epilog historik.
Pas 26 vitesh, Adidas do të largohet nga gara më prestigjioze evropiane për klube, ndërsa nga sezoni 2027/28 përgjegjësinë për prodhimin e topit zyrtar do ta marrë gjiganti amerikan Nike.
Marrëveshja katërvjeçare do të zgjasë deri në sezonin 2030/31 dhe do të përfshijë të gjitha garat kryesore të UEFA-s për klube.
Përveç Champions League, Nike do të prodhojë topat edhe për Ligën e Evropës, Ligën e Konferencës, Superkupën e Evropës, Ligën e të Rinjve dhe Champions League në futsall.
Për Adidasin ky është fundi i një bashkëpunimi që nisi në vitin 2001 dhe që solli një prej simboleve më të njohura të futbollit botëror: topin me yje.
Nike, në fakt, nuk është emër i panjohur në këtë garë, pasi kishte furnizuar Champions League edhe në periudhën 1997-2001, përpara se të zëvendësohej nga kompania gjermane.
Sipas të dhënave të marrëveshjes, vetëm në Champions League, Europa League dhe Conference League do të zhvillohen 531 ndeshje për sezon, që nënkupton 2.124 takime me topat e prodhuar nga Nike gjatë kontratës.
Një ndryshim historik që do të shënojë fillimin e një kapitulli të ri në identitetin vizual të futbollit evropian.
