Abdixhiku në Bruksel me bashkatdhetarët: “E çmoj besimin tuaj dhe e di mirë çfarë përgjegjësie më ngarkon”

Abdixhiku në Bruksel me bashkatdhetarët: “E çmoj besimin tuaj dhe e di mirë çfarë përgjegjësie më ngarkon”

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka qëndruar sonte në Bruksel, ku ka zhvilluar një takim me bashkatdhetarë dhe bashkëveprimtarë të kësaj partie.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, kreu i LDK-së ka shprehur mirënjohje të veçantë për pritjen e ngrohtë dhe bisedat e zhvilluara me ta, duke theksuar se në mesin e mërgimtarëve është ndjerë si në shtëpinë e tij.

Abdixhiku ka vlerësuar lart kontributin historik të diasporës për shtetndërtimin e Kosovës, duke nënvizuar se një pjesë e rëndësishme e historisë së vendit është shkruar pikërisht nga njerëzit që jetuan larg atdheut, por që nuk reshtën së angazhuari për fatin e tij.

Ai ka falënderuar degën e LDK-së në Beneluks për organizimin e “Darkës së Lamës”, ku bashkatdhetarët u mblodhën rreth sofrës në një traditë që, sipas tij, e ruan dhe e përçon kulturën shqiptare edhe përtej kufijve të Kosovës.

“E çmoj besimin tuaj dhe e di mirë çfarë përgjegjësie më ngarkon”, ka shkruar Abdixhiku, duke iu drejtuar të pranishmëve.

Më tej, ai ka vlerësuar se tradita e shtrimit të sofrës për të tjerët mbetet ndër zakonet më të bukura të popullit shqiptar, ndërsa organizime të tilla në mërgatë e bëjnë kulturën tonë pjesë të gjallë të jetës edhe në qytetet evropiane ku jetojnë bashkatdhetarët.

Related Articles