Nga sëmundja e rreme te rimbursimi i donatorëve: Nis kthimi i parave të mbledhura nga Endrit Azemi

Nga sëmundja e rreme te rimbursimi i donatorëve: Nis kthimi i parave të mbledhura nga Endrit Azemi

20-vjeçari, Endrit Azemi nga Gjilani është arrestuar nën dyshimin se ka mashtruar qytetarët në Kosovë dhe diasporë, duke pretenduar se vuante nga një sëmundje e rëndë dhe duke organizuar fushata për mbledhjen e parave për trajtimin e tij shëndetësor.

Përmes thirrjeve për ndihmë, sipas Prokurorisë, ai arriti të grumbullonte afro 190 mijë euro nga qytetarët.

Rastin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale në Gjilan, e cila ka njoftuar se hetimet kanë nisur pas pranimit të informacioneve përmes rrugëve operative.

Sipas PK, pas hetimeve, llogaritë bankare të identifikuara në territorin e Kosovës janë bllokuar, ndërsa, me vendim të prokurorit të shtetit, paratë e grumbulluara do të mbeten të ngrira deri në një vendim të gjykatës, ndërkohë, Policia ka bërë të ditur se për fondet e mbledhura përmes platformës GoFundMe në Gjermani ka filluar procesi i rimbursimit të donatorëve.

“Gjatë hetimeve është dyshuar se i njëjti ka organizuar fushata për grumbullimin e mjeteve financiare në Kosovë dhe diasporë, kinse për trajtim dhe rehabilitimin e tij shëndetësor, përfshirë edhe përmes platformës GoFundMe. Pas veprimeve hetimore, llogaritë bankare të identifikuara në territorin e Republikës së Kosovës janë bllokuar dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit mjetet e grumbulluara do të mbeten të ngrira deri në vendimin e gjykatës. Ndërkohë për fondet e grumbulluara përmes platformës GoFundMe në Gjermani, ka filluar procesi i rimbursimit të donatorëve”, njofton PK.

I dyshuari është arrestuar më 21 nëntor 2026 ndërsa më 23 nëntor 2026 Gjykata Themelore në Gjilan me kërkesë të Prokurorisë i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”.

Related Articles