“Le të ecë Lumezi, që të kthehet Elezi” – kjo ishte njëra prej shprehjeve më të përfolura të Albin Kurtit gjatë kohës sa ishte në opozitë. Në fushatën zgjedhore të vitit 2019, Kurti premtonte se do ta kthente në Kosovë ish-prokurorin Elez Blakaj, i cili ishte larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi kishte deklaruar se ishte përballur me kërcënime.
Madje, lideri i atëhershëm i Vetëvendosjes shkonte edhe më tej me premtimet e tij. Ai deklaronte se Blakajn do ta bënte Kryeprokuror të Shtetit dhe se, me ardhjen e tij në pushtet, askush nuk do të guxonte ta kërcënonte.
Por, duket se rrugëtimi i ish-prokurorit në Amerikë ka marrë një drejtim krejt tjetër nga ai që premtonte Kurti.
PETROLIGARKIA E KURTIT: Muharremi e Mikullovci, oligarkët e mirë
Elez Blakaj tashmë është i angazhuar në sektorin e patundshmërive në SHBA, ku ushtron profesionin e agjentit të shitjes dhe dhënies me qira të pronave. Në këtë veprimtari ai prezantohet me emrin profesional “Eli Z” dhe punon në kuadër të kompanisë JB Goodwin Realtors.
Në biografinë e publikuar në faqen e kompanisë, Blakaj ka përshkruar edhe të kaluarën e tij profesionale, duke theksuar se para se të hynte në biznesin e patundshmërive, kishte kaluar shumë vite në sektorin publik, në fushën e sundimit të ligjit.
“Kam përfunduar Fakultetin Juridik dhe kam marrë gradën master në Drejtësinë Penale në Universitetin Wake Forest, në Karolinën e Veriut, SHBA. Pasionet e mia në jetë janë arti dhe sporti!”, thuhet në prezantimin e tij.

Blakaj flet edhe për angazhimin e ri profesional, duke theksuar se besimi i klientëve dhe përkushtimi për të tejkaluar pritshmëritë e tyre janë pjesë e rëndësishme e punës së tij.
Nga arkivi
Ai ofron shërbime për shitjen, blerjen, dhënien me qira dhe investimet në patundshmëri, duke premtuar shërbim profesional, të ndershëm dhe mbështetje gjatë gjithë procesit.
Ndërkaq, JB Goodwin Realtors është kompani e themeluar në vitin 1972 në Teksas, e cila operon kryesisht në zonat e Austin dhe San Antonio, duke ofruar shërbime në tregun e patundshmërive./nacionale/
