Lëndimi i një pjesëtari të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë stërvitjeve në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës në Gjakovë ka nxitur debat ndërmjet deputetëve të pozitës dhe opozitës në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Deputetët e opozitës kanë kërkuar sqarime nga Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja lidhur me rrethanat e incidentit, duke ngritur shqetësime edhe për kontrollin e cilësisë së municionit dhe pajisjeve ushtarake.
Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, ka propozuar që Komisioni t’i drejtohet me shkrim ministrit të Mbrojtjes, duke kërkuar auditim dhe hetim të plotë të incidenteve.
“Ne nuk duhet të presim që dikush ta humbë jetën në FSK për shkaqe të tilla që pastaj të veprojmë”, deklaroi Ramadani.
Në anën tjetër, kryetari i Komisionit, Mefail Bajqinovci, tha se lëndimet gjatë aktiviteteve stërvitore mund të ndodhin, megjithatë u shpreh i gatshëm që të kërkohen sqarime nga ministri i Mbrojtjes dhe komandanti i FSK-së.
Deputeti i LVV-së, Sali Zyba, kundërshtoi propozimin për përcaktimin e veprimeve që duhet të ndërmarrë Ministria, duke argumentuar se Komisioni ka kompetencë të kërkojë informacione, por jo të ndërhyjë në procedurat e brendshme institucionale.
Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Rrahman Rama, kërkoi që ekspertët të vlerësojnë gjendjen, mirëmbajtjen dhe standardet e municionit, duke theksuar rëndësinë e marrjes së informacioneve të drejtpërdrejta nga institucionet përgjegjëse.
Edhe deputetja Ganimete Musliu shprehu shqetësim për përsëritjen e incidenteve.
“Mos e merrni çdo kërkesë tonën si tendencioze në këtë komision. E shoh shumë të arsyeshme, janë çështje që ndodhin, por kur çështjet përsëriten, është shqetësim për ne”, tha Musliu.
Debati vazhdoi edhe kur Bajqinovci tentoi të lexonte njoftimin zyrtar të FSK-së, ndërsa opozita insistoi që Komisioni të marrë sqarime të drejtpërdrejta nga Ministria e Mbrojtjes.
Kujtojmë se incidenti ka ndodhur më 23 nëntor, gjatë një aktiviteti stërvitor në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës në Gjakovë.
Sipas njoftimit të FSK-së, gjendja shëndetësore e ushtarit të lënduar është stabile, ndërsa shkaku i lëndimit nuk është bërë i ditur në informacionet e paraqitura.
