Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka publikuar të mërkurën një raport ku janë përmbledhur, sipas tij, të arriturat kryesore të Qeverisë së Kosovës gjatë periudhës 2021–2026.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se raporti përmban një pasqyrë të punës dhe rezultateve të qeverisjes së tij, ndërsa ka theksuar se pas zgjedhjes së presidentes, Justina Shiroka-Pula, vendi ka siguruar stabilitet të plotë institucional.
Sipas tij, kjo krijon kushte për funksionim demokratik, zhvillim ekonomik dhe përparim shoqëror në katërvjeçarin e ardhshëm.
Kurti ka njoftuar gjithashtu se javën e ardhshme do të publikohet drafti i programit të ri qeverisës.
“Aty janë bërë bashkë dhe shtjelluar zotimet tona me të cilat fituam përsëri zgjedhjet me votën dhe mbështetjen tuaj. Në themel të fitores sonë është besimi juaj që është përgjegjësi për ne, por edhe sukseset e përbashkëta e të arriturat e shumta në këto vitet e fundit”, ka shkruar Kurti.
