Policia e Kosovës ka rritur ndjeshëm kapacitetet e saj në armatim, automjete të blinduara dhe buxhet gjatë viteve të fundit, sipas të dhënave të prezantuara nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Në dokumentin ku janë paraqitur të arriturat në fushën e sundimit të ligjit, luftimit të korrupsionit dhe sigurisë kombëtare, vëmendje të veçantë merr rritja e kapaciteteve të armatimit të Policisë së Kosovës, shkruan lajmi.net.
Sipas të dhënave të prezantuara, deri në vitin 2021, Policia e Kosovës kishte në dispozicion vetëm 750 armë të gjata, ndërsa aktualisht ky numër ka arritur në 7,800.
Bëhet fjalë për 7 mijë e 050 armë të gjata më shumë, apo një rritje prej 940 për qind krahasuar me vitin 2021.
Rritje edhe më e madhe është paraqitur në numrin e mitralozëve të kalibrit 12.7 milimetra. Sipas dokumentit, Policia e Kosovës deri në vitin 2021 posedonte vetëm dy të tillë, ndërsa aktualisht numri i tyre ka kaluar në mbi 70.
Ndërkohë, është më shumë se dyfishuar edhe numri i automjeteve të blinduara. Nga 30 automjete të tilla sa kishte deri në vitin 2021, Policia e Kosovës aktualisht posedon mbi 70.

Mbi 74 milionë euro më shumë buxhet për Policinë
Krahas shtimit të kapaciteteve të armatimit, rritje të konsiderueshme ka shënuar edhe buxheti i Policisë së Kosovës.
Në vitin 2021, buxheti i këtij institucioni ishte 91.5 milionë euro, ndërsa buxheti fillestar i miratuar për vitin 2026 ka arritur në 165.6 milionë euro.
Kjo përbën një rritje prej 74.1 milionë eurosh, apo rreth 81 për qind.
Sipas dokumentit të prezantuar, buxheti për vitin 2026 pritet të rritet më tej deri në përfundim të vitit fiskal, si rezultat i transfereve nga suficitet e organizatave buxhetore.
167 grupe kriminale të shkatërruara dhe mbi 6.7 tonë drogë të konfiskuara
Në kuadër të rezultateve të prezantuara nga Sveçla, përmendet edhe shkatërrimi i 167 grupeve dhe bandave kriminale.
Po ashtu, sipas të dhënave të publikuara, janë konfiskuar mbi 6.7 tonë substanca narkotike, janë shkatërruar 23 laboratorë të drogës, prej të cilëve 13 në veri të vendit, si dhe janë mbyllur 37 rrugë ilegale, 29 prej tyre në veri.
Vlera e mallrave dhe aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara nga operacionet e Doganës së Kosovës, nga fillimi i mandatit deri në fund të vitit 2025, raportohet të ketë arritur në 67 milionë euro.
Në fushën e luftimit të korrupsionit, dokumenti evidenton arrestimin e mbi 350 zyrtarëve publikë dhe inicimin e kallëzimeve penale për korrupsion ndaj mbi 1,600 personave.
Megjithatë, në të dhënat e prezantuara nuk specifikohen llojet dhe modelet e armëve të gjata, vlera e përgjithshme e investimeve në armatim, kompanitë furnizuese apo kontratat përmes të cilave janë realizuar këto blerje.
Shifrat e paraqitura pasqyrojnë rezultatet e raportuara nga ministri Sveçla për periudhën e qeverisjes
