Adnan Rrustemi kandidat i LVV-së për kryetar të Lipjanit

Adnan Rrustemi kandidat i LVV-së për kryetar të Lipjanit

Adnan Rrustemi ka njoftuar se ka marrë besimin e partisë për të kandiduar për kryetar të Lipjanit.

Rrustemi thotë se para disa muajsh ka marrë besimin e qytetarëve për tu zgjedhur deputet, dhe se tani ai po kërkon sërish besimin e qytetarëve për të marrë udhëheqjen e komunës së Lipjanit.

“Të dashur qytetarë, 17 tetori i këtij viti, nuk duhet të shihet si garë ndërmjet partive politike. Këto zgjedhje nuk janë aspak të zakonshme, sepse referendumi i 14 shkurtit ndërroi kahjen për të mirë”, ka shkruar ai.

Për më shumë, postimi i plotë i Adnan Rrustemit:

PËR LIPJANIN MË SHPEJT DREJT ZHVILLIMIT DHE QYTETARIN NË QENDËR TË VËMENDJES.

Të dashur qytetarë të komunës së Lipjanit

14 shkurti i këtij viti, shënoi kapërcimin madhështor nga një mendësi keqqeverisjeje, në një etapë çlirimi e vlerash, trajtimi dinjitoz të shtetit dhe nevojave të qytetarëve. Është kjo etapë, e cila vendosë para së gjithash interesin e qytetarit.

14 shkurti bëri historinë, të shkruar nga qytetarët e lodhur nga poshtërimi social e ekonomik, të katandisur nga qeveritë e kaluara.

Të dashur qytetarë, është e domosdoshme që të njëjtat vlera dhe të njëjtin përkushtim të sjellim edhe në komunë.
Është e nevojshme që dora e qeverisjes së drejtë, që garanton drejtësi e barazi për të gjithë e për secilin veç e veç, zhvillim e mirëqenie sociale të shtrihet edhe në komunën tonë.

Komuna e Lipjanit, ofron mundësi të jashtëzakonshme për zhvillim ekonomik lokal, aftësim profesional cilësor për të rinjtë e një organizim urban që mundëson mobilitet të lartë e jetë të qetë. Ndërkohë që përballemi me shërbime shëndetësore të mangëta, uji i pijshëm mungon në shumë pjesë të qytetit e në shumë fshatra, bujqësia e pambështetur e të rinjtë ndjehen pa perspektivë në qytetin e tyre.

Nevoja për punësim e bazuar në meritokraci të plotë e vetëm në përgatitje profesionale, do të jetë përkushtimi ynë i palëkundur kudo, si në arsim, shëndetësi e në të gjitha institucionet lokale. Punësim, pa dallim, e mbështetje të pakusht për të rinjtë të cilët kanë humbur shpresat për perspektivë, janë rruga që do të ndjekim. Ashtu siç nuk do të punësohet askush sipas bindjes politike, edhe nuk do të diskriminohet asnjë për shkak të bindjeve politike. Bindjet politike janë personale, kurse kualifikimet profesionale janë arsye për punësim.

Të dashur qytetarë të komunë së Lipjanit, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Qendra në Lipjan, më kanë dhënë besimin e tyre për t’u kandiduar për kryetar të komunës së Lipjanit në zgjedhjet e 17 tetorit, për të cilin i falënderoj dhe e konsideroj përgjegjësi.

Related Articles