Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë punën për të gjetur të mbijetuar, pas tërmetit të fuqishëm prej 7.2 shkallësh që goditi Haitin dhe la të vdekur të paktën 304 persona.
Epiqendra e tërmetit, që shkatërroi ndërtesa të shumta, ishte rreth 160 kilometra nga kryeqyteti Port-au-Prince.
Autoritetet thanë se të paktën 1.800 persona janë lënduar pas kolapsimit të shumë ndërtesave.
Ekipet e shpëtimit janë duke vazhduar punën për të gjetur njerëzit që janë bllokuar nën rrënoja dhe Mbrojtja Civile tha se spitalet tashmë janë mbushur me persona të lënduar nga tërmeti.
Shtetet e Bashkuara kanë ofruar ndihmë për Haitin dhe presidenti Joe Biden ka miratuar ndihmën e menjëhershme, ndërkaq Republika Dominikane ka dërguar 10.000 racione ushimore dhe pajisje mjekësore.Ndërkaq, një brigadë me doktorë nga Kuba kanë arritur në Haiti për të ndihmuar doktorët atje.
Edhe Ekuadori, Meksika, Kili, Argjentina, Venezuela, Spanja kanë ofruar ndihmë për Haitin.Haiti ende nuk është rikuperuar nga një tërmet prej 7 ballësh që goditi vendin më 2010 dhe la të vdekur mbi 200.000 persona. Nga tërmeti i vitit 2010, 1.5 milion banorë të Haitit kishin mbetur të pastrehë.