Kryengritësit talebanë hynë të dielën në kryeqytetin afgan, Kabul, tha një zyrtar i ministrisë së Brendshme, ndërsa Shtetet e Bashkuara evakuuan diplomatët nga ambasada e tyre me helikopter.
Zyrtari i lartë i tha Reuters-it se talebanët po vinin “nga të gjitha anët”, por nuk dha detaje të tjera.
Përmes një postimi në Twitter nga llogaria zyrtare e Pallatit Presidencial, u tha se të shtënat ishin sporadike në disa zona të Kabulit, por se forcat e sigurisë, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, kishin gjithçka nën kontroll.
Më pas, talebanët lëshuan një deklaratë për të thënë se kanë urdhëruar luftëtarët e tyre të qëndrojnë në pikat e hyrjes në kryeqytet.
Deklarata thotë aktualisht siguria e qytetit dhe njerëzve mbetet përgjegjësi e qeverisë dhe se po vazhdojnë bisedimet për transferimin paqësor të pushtetit.
Deklarata u kërkon afganëve të qëndrojnë në vend dhe këmbëngul se talebanët duan njerëz “nga të gjitha sferat e jetës, për ta parë veten në një sistem të ardhshëm islamik me një qeveri të përgjegjshme që i shërben dhe është e pranueshme për të gjithë”.
Megjithatë, raportet nga Kabuli thonë se janë dëgjuar të shtëna me armë dhe militantët talebanë duke lëvizur rrugëve të kryeqytetit afgan.
Ndërsa, videot e luftëtarëve talebanë duke parakaluar me kamionë në rrugët e Jalalabad pasi morën qytetin tashmë janë shpërndarë në masë të madhe.
Talebanët janë gati për të rimarrë kontrollin e plotë të Afganistanit, me kryeqytetin Kabul gjithashtu të rrethuar nga militantët. /kp/Gazeta Enigma/