Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka reaguar sot pas vendimit të shtetit të Kosovës për t’i strehuar afganët të cilët kanë punuar me forcat e huaja e kanë frikë nga hakmarrja e talibanëve për shkak të punës së tyre, raporton Gazeta Enigma.
Ambasada e SHBA-ve në Kosovë në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se Kosova i bashkohet SHBA-ve dhe vendeve tjera në thirrjen për largim të sigurt të afganëve.
“Kosova i bashkohet Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera në thirrjen ‘se të gjitha palët respektojnë dhe lehtësojnë largimin e sigurt dhe të rregullt të shtetasve të huaj dhe afganëve që dëshirojnë të largohen nga vendi’”, thuhet në postimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë.
Departamenti amerikan i shtetit përmes një deklaratë të përbashkët me disa shtete të tjera, përfshirë këtu dhe Kosovën, ka bërë thirrje që të punohet për largimin e afganëve.
“Afganët dhe shtetasit e huaj që dëshirojnë të largohen duhet të lejohen ta bëjnë këtë; rrugët, aeroportet dhe vendkalimet kufitare duhet të qëndrojnë të hapura dhe qetësia duhet të ruhet. Populli afgan meriton të jetojë në siguri dhe dinjitet. Ne në bashkësinë ndërkombëtare jemi gati t’i ndihmojmë ata”, thuhet ndër të tjera në këtë deklaratë.