Të martën, në prag të ndeshjes së Superkupës së Kosovës ndërmjet Prishtinës dhe Llapit, do të bëhet inaugurimi i sistemit VAR (Video Assistent Referee), që është projekti më madhor i Federatës së Futbollit të Kosovës.
Me këtë rast presidenti Agim Ademi do të mbajë një fjalim, derisa mediat do të kenë qasje edhe në qendrat mobile të VAR-it për të parë se si do të funksionojë i gjithë sistemi VAR në futbollin e Kosovës. Superkupa ndërmjet Prishtinës dhe Llapit do të jetë ndeshja e parë zyrtare në të cilën do të implementohet sistemi VAR, njofton FFK-ja.
Përndryshe, edicioni 2021/2022 fillon këtë fundjavë me ndeshjet e javës së parë të Superligës. Liga e Parë, e dytë Grupi A dhe B, dhe Liga e Tretë, fillojnë një javë më pas, më 28 gusht.