Trupat amerikane janë ende duke tentuar që të “rivendosin sigurinë” në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit.
Kështu ka thënë zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (Pentagon) John Kirby, raporton BBC.
Aktualisht janë rreth 2,500 trupa amerikane në aeroport, derisa pritet të mbërrijnë edhe 500 të tjerë në orët e ardhshme, tha Kirby.
“Ne po tentojmë që në orët e ardhshme të jemi në gjendje të rivendosim operacionet ajrore në aeroport,” tha Kirby.
Pentagoni ka njoftuar se gjithë fluturimet ushtarake dhe civile nga dhe për në aerportin e Kabulit janë ndaluar.
Ndryshe presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, do të mbajë konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë për situatën në Afganistan. Konferenca është paraparë të mbahet rreth orës 21:45.