Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, me ftesë të homologut të tij slloven, po qëndron për një vizitë zyrtare në Slloveni, ku do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Ministrore dhe në ceremoninë e hapjes së Panairit të 59-të Ndërkombëtar të Bujqësisë dhe Ushqimit – AGRA.
Në kuadër të kësaj vizite, Ministri Faton Peci ka zhvilluar sot një takim bilateral me homologun e tij slloven, Ministrin Jozhe Podgorshek me ç’rast kanë biseduar për mundësitë e bashkëpunimit në mes të dyja vendeve në të ardhmen, me theks të veçantë në shkëmbimin e përvojave dhe lehtësimin e bashkëpunimit mes agrobizneseve kosovare dhe atyre sllovene.
Ministri Faton Peci, ka prezantuar para homologut slloven zhvillimet e përgjithshme në sektorin e bujqësisë në Kosovë, si dhe e ka njoftuar atë që Qeveria e Kosovës gjatë këtij mandati e ka vënë në prioritet zhvillimin e këtij sektori, si një potencial për zhvillim ekonomik.
Me këtë rast, Ministri Faton Peci ka falënderuar homologun e tij për përkrahjen që shteti i Sllovenisë i ka dhënë në vazhdimësi Kosovës në zhvillimin e shumë sektorëve, përfshirë edhe bujqësinë.
Në anën tjetër, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ushqimit të Sllovenisë, Jozhe Podgorshek vlerësoi angazhimin e ministrit për avancimin e politikave dhe legjislacionit për zhvillimin dhe fuqizimin e sektorit të bujqësisë dhe pylltarisë dhe shprehu gatishmërinë e tij për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen.