Shpejtësi dhe çmenduri, Shqiptari kapet duke vozitur 202 km në orë

Shpejtësi dhe çmenduri, Shqiptari kapet duke vozitur 202 km në orë

Në 24 orët e fundit në Shqipëri janë pezulluar 44 leje drejtimi për shpejtësi nga 128 km/h në rrugën Tiranë -Tuneli i Krrabës e deri në 202 km/h në Bypass-in e Fierit.


Policia e Shtetit ka bërë të ditur se shtetasi E.L, nga Tirana qarkullonte me mjetin e tij nga Fieri në Vlorë me shpejtësi 202 km/h i konstatuar nga radari i Policisë Rrugore Fier në Bypass-in e Fierit. Drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar dhe ka vijuar me shpejtësi në drejtim të Vlorës ku dhe është ndaluar në hyrje të Vlorës nga shërbimet e Policisë të DVP Vlorë.

Drejtuesi i mjetit është ndëshkuar me masë administrative 24.000 lekë të rinj dhe me pezullim të lejes së drejtimit për 12 muaj si dhe zbritje 8 pikë nga leja e drejtimit.

Gjithashtu janë pezulluar dhe 33 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje te dehur. Janë arrestuar 13 drejtues mjetesh nga të cilët 8 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 5 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Shtetasi H.B., 30-vjeç, nga Saranda , duke zbritur nga Mali i Tomorrit me automjetin tip “Nissan” dhe me katër pasagjerë, rreth orës 15:00 të ditës së sotme është konstatuar nga shërbimet e Policisë Rrugore Berat duke kryer manovra të rrezikshme në rrugë dhe gjatë kryerjes së testit të alkoolit rezultoi se drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në masën testi i parë 0.85mg/l dhe testi i dytë 0.91 mg/l, i cili u arrestua në kushtet e flagrancës.

Po gjatë 24 orëve të fundit janë ndëshkuar me gjobë 1553 drejtues mjetesh për shkelje që janë rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Digjital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë dhe profesional.

Related Articles