Norwich City ka konfirmuar se Milot Rashica nuk do të lejohet të udhëtojë me Kosovën drejt Gjeorgjisë për ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës 2022, për shkak se ky vend është në listën e kuqe të Britanisë së Madhe.
Rashica nuk do të jetë në gjendje të luajë për Kosovën kundër Gjeorgjisë, por ai do të mundë t’i ndihmojë verdhekaltërve në dy ndeshjet e tjera më të vështira, kundër Greqisë dhe Spanjës.
Gjeorgjia është në mesin e vendeve që Britania e Madhe i vlerëson me rrezikshmëri të lartë nga virusi Covid-19, prandaj anësori i Norwichit nuk do të lejohet të udhëtojë atje.
“Rashica nuk do të lejohet të paraqitet në ndeshjen e parë të Kosovës në Gjeorgji më 2 shtator, për shkak se ky vend është në listën e kuqe”, thuhet në njoftimin e Norwichit.
Trajneri Bernard Challandes e mblodhi ekipin kombëtar dje dhe i mbajti dy stërvitje, por Rashica mungoi pasi asi nuk do t’i bashkohet grupit deri pas ndeshjes të enjten.
Pas kthimit nga Gjeorgjia, Kosova e pret Greqinë më 5 shtator në Stadiumin Fadil Vokrri dhe pastaj Spanjën më 8 shtator po ashtu në kryeqytet.
Grupit i prin Spanja me 7 pikë, e ndjekur nga Suedia me 6, derisa Kosova ngel e fundit pa pikë.