Sezoni i ri në basketboll nis me ndeshjet e Superkupës së Kosovës, që luhen prej sot e deri më 5 shtator. Kjo garë do t’i paraprijë edicionit të ri në Superligën e basketbollit.
Sezoni i ri i basketbollit kosovar fillon sot më ndeshjet e Superkupës. Ndeshja ndërmjet Prizrenit-16 dhe Dritës e hap këtë garë, për të vazhduar më pas me derbin e moçëm sonte, Peja – Sigal Prishtina. Pejanët do të mundohen ta kenë një sezon tjetër prej protagonistësh.
Kurse, Bardhekaltrit kanë bërë ndryshime rrënjësore në skuadër dhe do të tentojnë ta rikthejnë dominimin në basketbollin kosovar. Këto duele janë në kuadër të Grupeve A dhe B. E më 2 shtator do të luhen edhe dy përballje të tjera interesante, respektivisht Grupet B dhe C.
Kampioni Golden Eagle Ylli do të ketë punë me Bashkimin.
Therandasit shihen si favoritë, por së fundmi edhe prizrenasit janë përforcuar.
E dueli tjetër do të jetë ai në mes të Rahovecit me Trepçën.
Në këtë sfidë fituesi mund të përcaktohet në sekondat e fundit të lojës.
Ndeshjet gjysmëfinale do të luhen më 3 shtator, kurse finalja më datën 5.
Siç dihet, fituese aktuale e Superkupës së basketbollit është Sigal Prishtina, e cila vitin e kaluar në finale e kishte mundur Bashkimin.
Federata e basketbollit njofton se ndeshjet do të luhen pa praninë e shikuesve pas masave të reja anti-Covid.
Vendi ku do të zhvillohen ndeshjet e Superkupës, nga 1 deri më 5 shtator, është Arena e Pallatit të Rinisë dhe Sportit. Aty do të zhvillohen të gjitha ndeshjet, duke filluar nga sot kur në program janë çerekfinalet, deri në ditën e finales së madhe që zhvillohet më 5 shtator, shkruan Gazeta Enigma.