Koreja e Veriut ka kërkuar që gati tre milionë vaksina kundër koronavirusit që ju ofruan, të dërgohen diku tjetër. Këtë e bëri të ditur një zëdhënës i OBSH-së, i cili shpjegoi se shteti komunist kërkoi që vaksinat të zhvendoseshin në vendet më të goditura nga pandemia.
Programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë i kishte ofruar vendit vaksina kineze Sinovac. Sipas OBSH-së që nga 19 gushti, Koreja e Veriut nuk ka regjistruar asnjë rast pozitive me COVID-19. 37,291 njerëz, përfshirë punonjësit e kujdesit shëndetësor, ishin testuar dhe të gjithë kishin dalë negativë, tha OBSH-ja në raportin javor për situatën.
Koreja e Veriut ka vendosur masa të rrepta kundër COVID-19 që nga fillimi i pandemisë dhe ishte një nga vendet e para që mbylli kufijtë në janar të vitit të kaluar, raporton BBC, përcjellë Gazeta “Enigma“.
Por kjo nuk është hera e parë që vendi refuzon vaksina, në korrik, shteti komunist hodhi poshtë rreth dy milionë doza të AstraZeneca-s, duke cituar shqetësimet për efektet anësore të mundshme.