Hoti: Marrëveshja e Uashingtonit s’parashihte moratorium për njohje të reja

Hoti: Marrëveshja e Uashingtonit s’parashihte moratorium për njohje të reja

Moratoriumi s’vlente për njohje të reja ndërkombëtare.

Kështu shprehet Avdullah Hoti, ish-Kryeministri i Kosovës, i cili sot një vit – më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë kishte nënshkruar marrëveshjen ekonomike me Serbinë të cilën e kishte ndërmjetësuar, Donald Trump duke qenë President i SHBA-së.

“Po e sqaroj se marrëveshja nuk ka paraparë moratorium për njohje të reja. Njohja nga Izraeli e dëshmon këtë. Marrëveshja ka paraparë moratorium njëvjeçar për aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, i cili moratorium përfundon sot. Ky moratorium është kritikuar nga disa individë të cilët nuk e kanë idenë se si i ka realizuar Kosova anëtarësimet në organizata ndërkombëtare deri më tani”, është shprehur Hoti.

Ai në njëvjetorin e kësaj ngjarjeje në intervistë për Klankosova.tv,  ka thënë se nuk mund të shkohet asnjë rruge tjetër përveç asaj të respektimit të marrëveshjes, e cila kontestohet nga qeveria e re në Prishtinë me në krye Albin Kurtin.

“Kundërshtimi i kësaj marrëveshje nuk është në interesin e Kosovës. Ata që e kundërshtojnë janë kundër integrimit perëndimor të Kosovës, të cilën gjë e do Serbia”.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së ka folur edhe për një mori çështjesh, si ajo me pandeminë, duke thënë se dorëheqja e Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia është më e pakta që mund të ndodhë, në një situatë që ai e quan të dalë nga kontrolli.

Related Articles