Planeve për vaksinimin e miliona fëmijëve të shkollës pritet t’u hapet dritat jeshile javën e ardhshme, pavarësisht se këshilltarët e qeverisë së Boris Johnson i kanë refuzuar këto plane.
Sipas ekspertëve të Komitetit të Përbashkët të Vaksinimit dhe Imunizimi, përfitimet për fëmijët e shëndetshëm të moshës 12-15 vjeç janë më të mëdha sesa rreziqet e bërjes së vaksinës.
Megjithë këtë Ministri i Shëndetësisë i ka kërkuar një opinion të dytë zyrtarit më të lartë të Shëndetësisë në Angli, profesor Whitty për vaksinimin ose jo të fëmijëve.
Ndërkaq një ditë më parë, ekspertët miratuan vaksinimin e fëmijëve me probleme të rënda shëndetësore si sëmundjet e zemrës, mushkërive, veshkave dhe ato neurologjike. Të rinjtë nga 16 vjeç e sipër kanë filluar të vaksinohen.
Një shkollë mendimi për mosbërjen e vaksinës tek fëmijët e moshës 12-15 vjeçare argumenton se nuk është etike për të vaksinuar fëmijët me qëllimin e vetëm të mbrojtjes së të rriturve, pasi Covidi në vetvete përbën pak rrezik për të rinjtë.
Por ka të tjerë që besojnë se është më mirë që fëmijët të preken nga Covid dhe të shërohen duke krijuar imunitetin natyral sesa të imunizohen me vaksina, e cila e humbet efektin brenda muajsh.
Britani është ndër vendet më të vaksinuara në botë, e cila ka arritur të vaksinojë me dy doza afro 80% të gjithë popullsisë, ndërsa 90% e popullsisë kanë marrë një dozë të vaksinës. Përveç lajmeve për infeksione dhe afro 100 vdekje mesatarisht në ditë, asgjë tjetër në jetën e përditshme nuk të kujton pandeminë.