Në tetë muajt e parë të vitit 2021 në Kosovë kanë ndodhur 14 mijë e 147 aksidente trafiku, 5008 me persona të lënduar kurse 9071 me dëme materiale.
Policia e Kosovës përmes disa statistikave bën të ditur se aksidente fatale nga janari e deri në gusht 2021 kanë qenë 68, ku kanë humbur jetën 79 persona.
Policia e Kosovës përmes një përgjigje kanë thënë se janë duke vazhduar me aktivitete të shtuara në trafik.
“Policia e Kosovës vazhdon me aktivitete të shtuara në trafik me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ngritjes së sigurisë në trafik. Policia e Kosovës bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj ligjore dhe kushtetuese është e përkushtuar në mbajtjen e rendit, garantimin e sigurisë publike si dhe menaxhimin dhe kontrollin e trafikut rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit.
Një prej objektivave parësore për Policinë e Kosovës është edhe ofrimin i sigurisë rrugore për pjesëmarrësit në trafik dhe parandalimi i aksidenteve, andaj sipas planifikimeve operacionale, parashihen aktivitete të shtuara me qëllim që të parandalohen aksidentet dhe të rritet siguria në trafik”, vijon përgjigja e Policisë.
Nga janari deri në gusht, Policia ka dënuar edhe 313384 shoferë për shkak se nuk kanë respektuar rregullat e komunikacionit.