Dje në Gjykatën Speciale në Hagë është mbajtur seanca e dytë gjyqësore kundër ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i akuzuar për krime lufte.
Ndërsa sot, seanca do të vazhdojë nga ora 09:30.
Në seancën e djeshme është dëgjuar dëshmitari i parë në këtë rast, i cili në vitin 2006 kishte dhënë deklaratë edhe për UNMIK-un.
Një pjesë e seancës është mbyllur për publikun, pasi që, prokurori tha se dëshmitarit do t’i bëhen pyetje të cilat mund të zbulojnë identitetin e disa njerëzve të mbrojtur.
Pas rihapjes së seancës, dëshmitari ka thënë se Mustafa me bashkëpunëtorë i kanë keqtrajtuar dhe kequshqyer në Zllash të Prishtinës.
“Aty na kanë dhënë veç nga një copë bukë të ftohtë, bajat. Nuk kam mundur me i njoh, nuk e di veç deri në 48 orë nuk kemi ngrënë bukë hiç. Kemi qëndruar pa buke, nuk ka pasur normal se u kanë luftë, nuk ka pasë po e di”, ka thënë dëshmitari.
Ndërsa ka shtuar se ishin dy persona të cilët i shoqëronin për të dalë jashtë ndërtesës për të kryer nevojat për të cilët tha se nuk e di kush kanë qenë ata.
“Nuk kam pasur mundësi me ditë kush janë ata. Na kanë ruajt te dera, nuk kemi guxu as me i këqyr. Veç kanë ardhur, na kanë kap, na kanë dërguar deri aty dhe na kanë kthyer. Nuk kemi ditë kush është”, ka thënë dëshmitari.
Dëshmitari ka thënë se familja e tij ishte në dijeni për vendndodhjen e tij.
“E kanë parë kur më kanë marrë atë ditë, të parën ditë që më kanë marrë ata dy personat”, ka thënë dëshmitari.
Prokurori ka pyetur dëshmitarin se si është larguar nga ai vend dhe si ka marrë fund ndalimi në Zllash.
“Kanë ardhur dhe na kanë çel dyert, na kanë thënë kah doni shkoni. Jemi dalë prej Zllashit në drejtim për Prishtinë, atëherë ka pasur shumë refugjatë, shumë njerëz, kemi arrit në atë kolonën dhe kemi shkuar për Prishtinë”, ka thënë dëshmitari.
Sipas tij, të gjithë që ishin në ndalim ishin thirrur me emra për të dalë nga ndërtesa.
Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.
Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte, dhe u dërgua në objektin e paraburgimit në Hagë.
Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.