Komisioni Evropian e ka akuzuar Rusinë se po përpiqet të ndërhyjë në proceset demokratike të Evropës vetëm dy ditë para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani.
Përmes një deklarate të publikuar të premten, Komisioni Evropian tha: “Shtetet anëtare të BE-së kanë vërejtur aktivitete keqdashëse kibernetike, të identifikuara në grumbull si Ghostwriter dhe i kanë lidhur këto aktivitete me shtetin rus.”
“Aktivitete të këtilla janë të papranueshme, sepse ato synojnë që t’i kërcënojnë integritetin, sigurinë, vlerat demokratike dhe parimet tona dhe thelbin e funksionimit të demokracive tona”, shtohet në deklaratë.
Sipas BE-së, cak i këtyre sulmeve ishin disa anëtarë të kuvendeve, zyrtarë qeveritarë dhe pjesëtarë të medieve e shoqërisë civile në BE duke siguruar qasje në sisteme kompjuterike e llogari personale dhe duke vjedhur të dhëna, shkruan CNN, përcjellë Gazeta “Enigma”.
Një zyrtar i BE-së i tha televizionit amerikan, CNN, se në mesin e të shënjestruarve në aktivitetet keqdashëse kibernetike të Rusisë ka edhe politikanë e zyrtarë gjermanë.
“Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare i dënojnë fuqishëm këto aktivitete kibernetike keqdashëse, të cilat duhet të përfundojnë menjëherë nga të gjithë ata që janë të përfshirë. I bëjmë thirrje Federatës Ruse që t’iu përmbahet normave të sjelljes së shteteve të përgjegjshme në fushën kibernetike”, thuhet në deklaratë.