Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi ka pritur në takim kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, raporton Gazeta “Enigma”
E detaje për takimin, Krasniqi ka dhënë përmes një postimi në Facebook, me ç’rast ai tha se PDK e vlerëson jashtëzakonisht të rëndësishëm thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, për çfarë u pajtuan me Ramën për forcimin e mëtejmë të raporteve mes dy vendeve.
“Për këtë qëllim, konsideroj se mbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, si format i iniciuar nga periudha e qeverisjes së PDK-së, duhet të vazhdojë e të zgjerojë temat e rëndësisë së përbashkët”, shkruan Krasniqi.
Gjatë takimit, Krasniqi e Rama biseduan për situatën e brendshme politike, menaxhimin e pandemisë, si dhe për zhvillimet e fundit në veri të vendit.
“Vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin me targat, e konsiderojmë të drejtë dhe legjitim. Por, shpreha shqetësim për tendencën nga ana e Serbisë për të përshkallëzuar situatën, me ç’rast kërkova që Shqipëria të luajë rol ndihmës, si vend anëtar i NATO-s”, shkruan Krasniqi.
Krasniqi ka falënderuar kryeministrin Rama për ftesën që i bëri për vizitë zyrtare në Tiranë, të cilën thotë se do ta realizojë që në momentin e parë të mundshëm.
Fillimisht Rama është pritur me ceremoni shtetërore nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ku më pas kanë mbajtur konferencën e mbajtur për medie para Qeverisë.
Pas takimit me kreun e PDK-së, Rama do të takohet edhe me liderët e partive të tjera në vend.