Akuza të rënda hodhi drejt ekzekutivit, në seancën e Kuvendit të së hënës, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, raporton Gazeta “Enigma”.
Ai deklaroi se me marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel Qeveria e Kosovës e njeh legjitimitetin e Serbisë brenda territorit të shtetit tonë.
“Pas shout të para dy javësh ku kryeministri i Kuvendit doli me pompozitet në këtë foltore duke deklaruar aksionin në veri, rezultatet sot janë të dhimbshme. Më kujtohet kur i thash kryeministrit se po bën shou dhe kur i thash se veprimet e policisë duhet të jenë institucionale dhe shtetërore dhe jo politike me agjenda zgjedhore, dhe kur I thash se duhet të jetë e përgatitur policia në kufi që të zbatojë një urdhëresë shtetërore për të zbatuar ligjet e këtij vendi, deputetët përballë bënë zhurmë dhe çaravesheshin”, tha Gashi.
Ndër të tjera ai deklaroi se Qeveria me marrëveshjen e parë të bërë, ka pranuar targat ilegale si targa zyrtare në Kosovë.
“Kemi një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë për tërheqjen e forcave policore nga veriu, pse duhet qeveria e Kosovës të bëjë marrëveshje për t’u tërhequr nga pjesë të territorit të vet. Cila është strategjia e Qeverisë së Kosovës në raport me Serbinë”, tha tutje ai.
“Ne kemi dakordim në të gjitha pikat, e vetmja pikë ku pala serbe nuk e ka dhënë pëlqimin ka të bëjë me targat e veturave KM, për të cilat ata mendojnë që nuk do të duheshin të aplikojmë stikersat, ne mendojmë se kjo është absurde sepse ato targa janë ilegale dhe nuk mund të nënshkrujmë marrëveshje që e favorizojnë atë, tash zv.kryeministri a mendon që këto targa janë ilegale apo legale. Sepse ka nënshkruar një marrëveshje me të cilën këto targa i njeh si targa të Serbisë dhe targat që identifikohen me territorin e Kosovës”, u shpreh ai tutje.
Me këtë marrëveshje, Gashi tha se Qeveria e ka kthyer vendin 10 vite prapa./Gazeta Enigma.