Sektori i energjisë në botë pritet të futet në krizë. Kjo situatë patjetër se do ta prekë edhe Ballkanin. Në Shqipëri veçse është ngritur alarmi, madje nga vetë kryeministri Edi Rama.
Në Kosovë ende nuk është paralajmëruar diçka e tillë nga institucionet aktuale. Por një ish-drejtues i dikasterit të ekonomisë thotë se pasojat e para veçse po vërehen në vend, sidomos në rritjen e çmimit të produkteve të konsumit.
Fadil Ismajli tregon se kompanitë që e blejnë vetë rrymën, po përballen me çmime të larta. Ndërsa për konsumatorët e thjeshtë paralajmëron se kriza do të ndihet tek vitin e ardhshëm.
Ismajli thotë se qeveria duhet të krijojë strategji të përballjes me këtë situatë globale, teksa thotë se njëri nga faktorët kyç është pandemia COVID-19 dhe pasojat e saj.
Ndërkaq sipas kryetarit të shoqatës së naftëtarëve, Fadil Berjani, ndryshe nga energjetika, qytetarët kosovarë nuk kanë pse të shqetësohen për çmimet e karburanteve. Sipas tij, kriza për derivate nuk do ta përfshijë Kosovën, pasi dallon nga Shqipëria.
Të hënën, çmimi i naftës në Kosovë varionte nga 112 deri 120 centë, ndërsa benzina nga 115 deri 135 centë.
Kurse në tregun botëror, nafta ka shënuar rritje për 20 dollarë për fuçi dhe pritet që deri në fundvit të rritet edhe për 20 dollarë të tjerë, pra 100 dollarë në total.
Nga Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Tregtisë sot nuk kthyen përgjigje nëse kanë plan si do të përballen me këto kriza, po qe se Kosova afektohet në të ardhmen e afërt.