Presidenti i Francës, Emanuel Macron ka thënë sot se vendet e Ballkanit Perëndimor janë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian dhe se atyre duhet t’u tregohet se janë në zemër të Evropës.
Pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bërdo të Sllovenisë, ai tha se vendet e Ballkanit Perëndimor meritojnë investime, tregti dhe anëtarësim përfundimtar.
“Ne patëm një diskutim të mirë. Dëshira jonë është, në një afat të shkurtër, t’u japim një perspektivë evropiane vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat janë në zemër të Evropës”, u tha Macron gazetarëve.
“Ne duhet të përgjigjemi”, tha presidenti francez, duke shtuar se kjo do ta ndihmonte stabilitetin evropian.
Ai gjithashtu përmendi se reformat në procesin e vendimmarrjes evropiane do të ishin të nevojshme për pranimin e gjashtë anëtarëve të tjerë në BE.