Valteri Bottas triumfon në garën e Turqisë, duke regjistruar edhe suksesin e tij të 10 në karrierë.
Në një garë të shoqëruar fillimisht nga reshjet e shiut dhe më pas një pistë e lagur thuajse deri në fund, finlandezi u nis i pari dhe ia doli të ruajë mjaft mirë pozitat e tij.
Vetëm vendi i dytë për pilotin e Red Bull, Max Verstappen, i cili ia del të parakalojë sërish Lewis Hamilton në renditjen e përgjithshme, duke përfituar nga fakti që kampioni i botës u nis i 11-ti dhe ia doli ta mbyllë garën në vendin e pestë.
Verstappen udhëheq tashmë renditjen me 262.5 pikë, 6 më tepër se britaniku i Mercedes, duke premtuar për një fund sezoni mjaft emocionues, duke qenë se kanë mbetur edhe 6 gara deri në fund.
Podiumi u kompletua nga Red Bulli i Sergio Perez, i cili gjithashtu bëri një garë mjaft të mirë.
Vetëm vendi i katërt për Charles Leclerc, që fillimisht provoi të shkojë deri në fund pa ndryshuar gomat, por u detyrua të ndryshojë plan në xhirot e fundit, pasi po humbte shumë terren.