Në Federatën Ndërkombëtare të Xhudos (IJF) kanë vlerësuar faktin që Majlinda Kelmendi do të mbetet në sportin e xhudos, ndonëse ka përfunduar karrierën si garuese.
IJF-ja të martën ka publikuar një shkrim të gjatë për karrierën dhe të arriturat e Majlindës në sportin e xhudos. Ka shkruar edhe për pensionimin e saj dhe rolin e saj të ri në sportin e xhudos. Majlinda tashmë ka nisur punën si trajnere, pas pensionimit gjatë Lojërave Olimpike “Tokio 2020”.
Ajo është bërë pjesë e ekipit të trajnerit Driton Kuka.
“Do të na mungoj paraqitja e saj në tatami, por mezi presim ta shohim atë në karrigen e trajnerëve”, ka thënë Lisa Allan, drejtoreshë e ngjarjeve të IJF-së. Kalimi i Majlindës në pozitën e trajneres është shumë pozitiv edhe për Federatën Ndërkombëtare të Xhudos.
“Na duhen më shumë trajnere dhe është gjë e madhe të shohim ish-sportiste elitare si Majlinda duke kaluar në fazë tjetër të karrierës së tyre në xhudo”, ka shtuar Allan, njëra prej kryesoreve në IJF.
Natyrisht ajo vlerëson lart karrierën e Majlindës dhe ndikimin e saj për xhudon dhe po ashtu për vendin.
“Ajo është model fantastik për të ndjekur. Dedikimi i Majlindës, përvoja dhe etika e punës do të jenë inspirim për sportistët që do t’i drejtojë ajo. Ne i dëshirojmë asaj çdo të mirë dhe shumë suksese në të ardhmen”, ka theksuar Lisa Allan.
Sipas IJF-së, Majlinda ka dominuar kategorinë deri 52 kilogramë, si askush më parë.
Ndër të tjera ajo ka medalje të artë olimpike, dy tituj të botës e katër të Evropës. Federata Ndërkombëtare ka shkruar se Majlinda gjithë këto suksese i ka arritur në qetësi, duke punuar fort dhe pa kërkuar vëmendje.
IJF-ja shkruan se Majlinda ka mbajtur barrën e jashtëzakonshme të të gjithë vendit që nga dita e parë e paraqitjes ndërkombëtare. Majlinda, vazhdon shkrimi i IJF-së, ka ndier përgjegjësinë e shkëlqimit për vendin e saj.
“Ajo nuk ka luftuar vetëm për Majlindën apo shokët e skuadrës. Ajo ka luftuar për Kosovën, duke ditur se të arriturat e saj ofrojnë hapësirë për vajzat tjera, për xhudistët tjerë të rinj, për të besuar në të bukurën e mundësisë”.
Trajneri Driton Kuka ka thënë se Majlinda është heroinë e gjithë njerëzve në Kosovë. Sipas tij, Majlinda është më shumë se vetëm xhudiste, apo kampione olimpike e botërore.
“Falë saj ne jemi bërë anëtarë të IJF-së dhe IOC-së. Ajo ishte kyçe në zhvillimin e sportit tonë në vend. Për këtë është më shumë se sportiste. Ajo është dhe ishte sportistja ime, por është shumë më tepër, heroina ime, ashtu siç është për secilin njeri në Kosovë”, ka theksuar Kuka.
IJF-ja ka shkruar edhe për dominimin e Majlindës në Grand Slamin e Parisit, që këtë herë do të mbahet pa të pjesë të garës në kategorinë deri 52 kg.
IJF ka shkruar edhe për tri medaljet e arta olimpike të Kosovës.
“Do të ketë të tjera, pa dyshim”.
Sipas Federatës Ndërkombëtare “ky është fundi i një mbretërimi të veçantë, që i dha Kosovës dhe gjithë botës së xhudos një heroinë të re, atë që bëri hapat e parë në publik për një vendi të ri, duke u treguar të gjithëve se me respekt, përulësi dhe guxim, çdo gjë mund të arrihet”.
IJF-ja i është drejtuar Majlindës që të vazhdojë të jetojë me të njëjtën frymë dhe duke ditur se trashëgimia e saj është nxitje për gjithë vendin. “Kjo është aq e veçantë”, vlerëson IJF.
Vet Majlinda ka thënë për KOHËN se po ndihet shumë mirë në rolin e ri të trajneres. Por ajo dhe trajneri Kuka nuk kanë vendosur ende se kur kampionia olimpike do të debutoj në rolin e ri në gara të mëdha të xhudos. Kjo ka pak gjasa të ndodhë këtë vit.