Challandes shprehet i palumtur që Kosova vendosi të mos vazhdojë më me të

Challandes shprehet i palumtur që Kosova vendosi të mos vazhdojë më me të

Bernard Challandes ndihet i palumtur që Kosova vendosi t’i ndajë rrugët më të, pas tri vjetëve në krye të ekipit kombëtar, por ka këmbëngulur se nuk është i mllefosur.

Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi të martën në një konferencë për media se ka gjetur pajtim me Bernard Challandes për shkëputjen e parakohshme të marrëveshjes.

Trajneri zviceran kishte marrëveshje me Kosovën deri në dhjetor 2022, por epokës së tij në krye të kombëtares dardane i erdhi fundi një vit më herët, pas një fushate tejet dëshpëruese në kualifikime për Kupën e Botës 2022.

“Nuk jam i lumtur me vendimin që ka ardhur sot. I them faleminderit presidentit, jo për sot, por për kohën që e kemi pasur deri tash. Nuk jam i mllefosur”, tha Challandes në konferencë të përbashkët për media me presidentin e FFK-së Agim Ademi.

LEXO EDHE:

Në 28 ndeshje zyrtare me Kosovën, Challandes i arriti 9 fitore, 7 barazime dhe 12 humbje

“Jam i pikëlluar, mendoj se e kemi bërë një punë të mirë, e kemi çuar në një nivel tjetër ekipin. I falënderoj edhe tifozët për përkrahjen. Ishin fantastikë. Këtu përfundon karriera ime”, shtoi ai.

LEXO EDHE:

Ai foli edhe për disa prej ndeshjeve më të mira të Kosovës nën drejtimin e tij.

“Do ta veçoja ndeshjen me Azerbajxhanin, golat e Zenelit. Në atë kohë isha trajner i mirë, e tash që s’po shënojmë gola, jam trajner i keq. Ndeshja me Anglinë, triumfi me Çekinë. Edhe fitorja në minutën e fundit në Bullgari. Duhet të jemi krenarë me këtë ekip. Unë jam krenar me punën e bërë”, nënvizoi ai.

70-vjeçri ishte emëruar trajner i Kosovës në mars të vitit 2018 nga ish-presidenti i ndjerë i FFK-së dhe legjenda e futbollit shqiptar Fadil Vokrri.

Challandes ishte trajneri i dytë në historinë e ekipit kombëtar të Kosovës, pas Albert Bunjakit, që prej pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA më 2016.

Related Articles