Shtyhet gjykimi i dy policëve që keqtrajtuan një person në stacionin policor

Shtyhet gjykimi i dy policëve që keqtrajtuan një person në stacionin policor

Mungesa e të akuzuarit Mirsad Përçuku, i cili ishte lënduar në aksionin e policisë në veri, u bë shkak që të shtyhet gjykimi ndaj tij në rastin ku së bashku me Arsim Shabanin po akuzohen se në cilësinë e policëve, në vitin 2015, keqtrajtuan të dëmtuarin Nusret Azemi.

Mungesën e të akuzuarit Përçuku, e ka arsyetuar mbrojtësi i tij, avokati Isa Salihi i cili tha se për arsye shëndetësore i mbrojturi i tij nuk ka mundur të jetë i pranishëm në këtë seancë.

Lidhur me këtë, ai i ka dorëzuar gjykatës edhe raportin mjekësor.

“Për arsye shëndetësore nuk ka mundur të prezantojë sot pasi që sipas detyrës zyrtare ishte në aksionin policor në veri të Kosovës, ku disa kolegë të tij kanë pësuar lëndime të rënda trupore, disa të lehta, mirëpo të mbrojturit tim i është përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe i është dashur të bëjë një vizitë mjekësore dhe për këtë nga qendra e mjekësisë familjare në Vushtrri i është rekomanduar pushim mjekësor tri ditë”, tha avokati Salihi.

Për këtë arsye, avokati Sahili ka kërkuar që seanca e sotme të shtyhet, gjë të cilën prokurorja Arbresha Shala dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Engjëll Vërtopi ia lanë në diskrecion gjykatës.

Pasi që nuk u plotësuan kushtet për mbajtjen e kësaj seance, e njëjta është shtyrë, ndërsa ajo e radhës u caktua më 22 tetor të këtij viti.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 17 janar 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Arsim Shabanit dhe Mirsad Përçukut, të cilët i ngarkon me veprën penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Shabani dhe Përçuku më 17 nëntor 2015, në cilësinë e personave zyrtarë të Policisë së Kosovës, derisa kanë qenë duke e shoqëruar në Stacionin Policor Qendra, Nusret Azemin tani të dëmtuarin, por edhe pasi kanë hyrë brenda në stacion kanë keqpërdorur detyrat dhe autorizimet e tyre, duke e keqtrajtuar të dëmtuarin në atë mënyrë që e kanë goditur në kokë dhe trup dhe nga lëndimet, i dëmtuari Azemi ka pësuar lëndime dhe i janë shkaktuar dhimbje fizike dhe psikike.

Me këtë, secili veç e veç akuzohet se ka kryer veprën penale “ keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 198, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim deri në tre vite. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

/Gazeta “Enigma”/

Related Articles